Përmbytje në Hjuston, pesë të vdekur, shpallet gjendje e jashtëzakonshme (FOTO)

19.04.2016 16:49

Në Hjuston është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, pasi reshjet rekord të një dite u bënë shkas për humbjen e pesë jetëve...

Vetëm të hënën, në qytetin e katërt më të populluar të Amerikës ranë 44.7 cm shi, nivele këto të përshkruara nga zyrtarët si “historike”.

Lumenjtë dolën nga shtrati në Hjustonin e poshtëm dhe 1.200 persona u desh të shpëtoheshin nga ujërat e rrëmbyera të përmbytjeve. Gati 70.000 persona mbetën pa energji elektrike, 1.000 shtëpi u mbushën me ujë, ndërsa njëra prej qendrave më të mëdha tregtare të qytetit është kthyer në strehë evakuimi.

Njëra prej zonave më të goditura është Grinspoint, një lagje e varfër e banuar kryesisht nga hispanikë.

Hjustoni, edhe vitin e kaluar u përball me një sërë përmbytjesh. Por, kjo e fundit është më e madhja e regjistruar atje që prej kalimit të stuhisë tropikale “Allison” në 2001-shin, e cila shkaktoi 23 vdekje në të gjithë Teksasin.