Maqedoni

Takimi i Vjenës, analistët presin pezullimin e zgjedhjeve

19.04.2016 17:36

Krerët e katër partive, nënshkruese të Marrëveshjes së qershorit dhe korrikut, të premten do të takohen në Vjenë, në një përpjekje tjetër për të tejkaluar krizën politike...

Takimi mbahet me nismë të tre eurodeputetëve, të përfshirë në arritjen e kësaj marrëveshje. Mirëpo, profesori universitar, Mersel Bilalli, nuk pret ndonjë rezultat domethënës.
 
Sipas tij, fakti që Gruevski nuk do të marrë pjesë në takim tregon qasjen shpërfillëse të VMRO-DPMNE-së, ndërkaq nuk pret as ndonjë veprim racional, në periudhë të ndërmjetme, që do të krijonte parakushte për një takim të suksesshëm.
 
“Pra, unë pres që presidenti ta tërheq vendimin e abolimit apo faljes, pasi i ka përzier të tre komponentët, me kusht që të ketë një pozicion të ri në bisedimet e mundshme në Vjenë. Por, nuk jam shumë optimist, duke u nis nga ajo se faktori kyç, kryetari i VMRO-DPMNE-së pat paralajmëruar se nuk do të shkojë personalisht, por do të dërgojë delegacion, që nënkupton se fuqia e vendosjes së atij delegacioni është më e vogël dhe e reduktuar që nuk jep seriozitetin e duhur.”- deklaroi profesori në UT, Mersel Bilalli.
 
Sipas Bilallit, suksesi më i madh që mund të arrihet në Vjenë është shtyrja e zgjedhjeve. Ndërkaq, profesori, Ylber Sela, gjykon se liderët politik, para interesit shtetëror kanë vendosur atë partiak dhe mbrojtjen e zyrtarëve në konflikt me ligjin. Sipas tij, shpresa e vetme për tejkalim të ngërçit politik dhe institucional është presioni i shtuar ndërkombëtar.
   
“Në Maqedoni tashmë nuk funksionon asnjë institucion, u fundos demokracia dhe shpëtimi i vetëm mund të vijë vetëm nga faktori ndërkombëtar, ndërsa Vjena gjithmonë ka luajtur një rol vendimtar për Ballkanin dhe shpresoj që edhe kësaj radhe në Vjenë do të gjendet një konsensus i përbashkët se si do të shkohet më tutje, që të mos hyjmë në një skenar ukrainas apo ndonjë skenar tjetër, por të vazhdohet Marrëveshja e Përzhinës.”- tha profesori në UT, Ylber Sela.
 
Ftesën për takim në Vjenë zyrtarisht e dërgojnë euro deputetët: Ivo Vajgël, Eduard Kukan dhe Riçard Hovit. Në këtë takim pritet të marrë pjesë edhe eurokomisari, Johanes Han, ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli, dhe ai i BE-së, Aivo Orav.  
 
SHPËTIM NUREDINI