Botë

Presidencialet në ShBA, Clinton dhe Trump-fitore të mëdha në New York

20.04.2016 09:41

Republikani, Donal Trump, dhe demokratja, Hillary Clinton, kanë fituar lehtësisht në zgjedhjet e kandidatëve në New York...

Republikani, Donal Trump, dhe demokratja, Hillary Clinton, kanë fituar lehtësisht në zgjedhjet e kandidatëve në New York, duke lëvizur para drejt garës kundër njëri-tjetrit për postin e presidentit të ShBA-ve, në zgjedhjet e nëntorit.
 
Fitorja e fuqishme dyshifrore e Clintonit në shtetin që dikur ajo e përfaqësonte në Senatin amerikan këputi fillin e fitoreve të rivalit të saj demokrat, Bernie Sanders, dhe e bëri pothuajse të pamundur për Sandersin që ta mposhtë udhëheqjen e saj në votat e delegatëve, që janë të nevojshme për nominim.
 
Clinton ka arritur të fitojë një numër të përkrahësve të Sanders pas një konkurrence të pavolitshme në New York, ku të dy rivalët i hodhën njëri-tjetrin akuza të ashpra.
 
Trump, nga ana tjetër, u shfaq i gatshëm të fitojë shumicën ose të gjithë nga 95 delegatët e republikanëve në New York, duke fituar 60 për qind të votës mbarë shtetërore, me më shumë se 3/4 e rezultateve të numëruara.
 
Ai tha se liderët e partisë republikane, që janë munduar ta pengojnë fitoren e tij për nominim gjatë rundit të parë të delegatëve, “ndodhen në vështirësi”. 
 
Votimi është shënuar me parregullsi, përfshirë më shumë se 125 mijë njerëz që mungonin në listat e votuesve të New Yorkut nga rreth 4 milionë votues potencial në atë shtet. Konventat partiake kombëtare të demokratëve dhe republikanëve mbahen në fund të verës. 
 
Partia Republikane takohet në Klivlend, më 18 korrik, ndërsa demokratët në Filadelfia, më 25 korrik. 
 
Në konventë, përfundimisht, partia e mbështet kandidatin e saj për president.
 
Përfundimisht, ditën e martë, që vjen pas të hënës së parë në nëntor, amerikanët votojnë për president.
 
GAZMEND REXHEPI