Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për njohjen e certifikatave ADR
Me ndërmjetësimin e BE-së, në Bruksel, pas bisedimeve maratonike dhe në një atmosferë të rëndë dhe të tensionuar...

Me ndërmjetësimin e BE-së, në Bruksel, pas bisedimeve maratonike dhe në një atmosferë të rëndë dhe të tensionuar është arritur marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme ADR në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, ka njoftuar ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Ajo theksoi se kjo marrëveshje konfirmon se Serbia ka njohur shtetin e Kosovës në fushën e transportit të mallrave të rrezikshme, thuhet në komunikatën e dërguar.
Ministrja, Edita Tahiri, ka theksuar se me ketë marrëveshje të dyja shtetet janë pajtuar për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, sipas konventës së OKB-së dhe standardeve ndërkombëtare dhe evropiane për transportin e mallrave të rrezikshme.
Kjo marrëveshje u arrit pas tetë muaj bisedimesh dhe pasi Kosova vendosi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Kjo marrëveshje është në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për tregtinë e lirë të vitit 2011 dhe parimet e CEFTA-së.
Në komunikatën e dërguar theksohet se marrëveshja në fjalë hyn në fuqi nga data 25 prill 2016, si dhe zbatimi i saj është i garantuar nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetëse e dialogut të Brukselit.
Delegacioni i Qeverisë së Kosovës ka konfirmuar se në ditën kur hyn në fuqi kjo marrëveshje atëherë në po të njëjtën ditë do të hiqen masat e reciprocitetit të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
