Botë
BE-Turqi, Juncker: vizat nuk liberalizohen po s’u plotësuan kriteret
20.04.2016 12:22
“Turqia nuk do të përfitojë liberalizimin e vizave nëse nuk plotëson kriteret e vendosura”...

“Turqia nuk do të përfitojë liberalizimin e vizave nëse nuk plotëson kriteret e vendosura”, ka qenë kjo deklarata e bujshme e presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, e cila pritet t’i thellojë edhe më tej mosmarrëveshjet mes palëve.
Ai shtoi se blloku me 28 anëtarë nuk do të bëjë asnjë përjashtim për Turqinë, pavarësisht marrëveshjes së firmosur më herët për emigrantët.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë vlerësuar se deri më tani Turqia ka arritur të përmbushë vetëm 19 nga 72 kritere që nevojiten për vendosjen e regjimit pa viza.
Jucker tha se pret që qeveria e Ankarasë të bëjë më shumë përpjekje për të plotësuar edhe kushtet e mbetura.
“Turqia tani duhet që të përmbushë kriteret e mbetura, në mënyra që Komisioni Evropian të miratojë propozimin për heqjen e vizave. Kjo është një çështje që ka të bëjë me përmbushjen e kritereve dhe BE-ja nuk ka ndërmend që të bëjë përjashtime për Turqinë.”- deklaroi presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.
Deklarata e Juncker vjen si kundërpërgjigje ndaj prononcimeve të bëra më herët nga zyrtarët turq. Presidenti, Rexhep Taip Erdogan, ka deklaruar se raporti i Parlamentit Evropian, që kritikonte respektimin e të drejtave të njeriut në Turqi, është një akt provokues i bllokut me 28 anëtarë.
Ai u shpreh se dokumenti i publikuar nga një prej institucioneve kryesore të unionit rrezikon që t’i japë një konotacion destruktiv marrëdhënieve pozitive që janë ngritur deri më tani mes palëve.
Erdogan theksoi se pret që Bashkimi Evropian të ndryshojë sjellje.
Turqia thotë se nëse blloku me 28 anëtarë nuk do të respektojë pikat për të cilat palët kanë rënë dakord për marrëveshjen e emigrantëve, atëherë qeveria e Ankarasë mund t’a anulojë akordin.
GAZMEND REXHEPI
