Maqedoni
UNITETI: Në protesta dalim me kërkesa qytetare
20.04.2016 13:39
UNITETI do të përkrahë protestat e shoqërisë civile, duke e arsyetuar këtë vendim me faktin se gjendja në vend dhe mosfunksionimi i institucioneve...

UNITETI do të përkrahë protestat e shoqërisë civile, duke e arsyetuar këtë vendim me faktin se gjendja në vend dhe mosfunksionimi i institucioneve nuk përmirësohen vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve, por pa funksionimin e shtetit ligjor. Nga UNITETI kanë treguar sot edhe kërkesat që do të shpalosen në protesta.
“Kërkesa për tërheqjen e vendimit të kryetarit të shtetit për faljen që e bëri dhe dorëheqja e pa revokueshme e tij; insistimi për prononcim të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale; kërkesa për formimin e departamentit special të Gjykatës për Vepra Kriminale; kërkesa për tërheqjen e vendimit për zgjedhje parlamentare më 5 qershor dhe formimi i Qeverisë teknike-kalimtare për reformat nga raporti i Pribe-së etj. Nuk janë kërkesa kombëtare, por qytetare.”- deklaroi kryetari i UNITETI-it, Gëzim Ostreni.
Ostreni e quan domosdoshmëri daljen e shqiptarëve në këto protesta, sepse, sipas tij, shqiptarët janë pjesë e rëndësishme e proceseve në Maqedoni.
Sipas tij, nëse shqiptarët nuk japin tani kontribut kolektiv të organizuar, kjo dobëson të drejtën e tyre për t’u bërë pjesë e ndërtimit të mëtejshëm të demokracisë në vend dhe të shfrytëzojnë të drejtat që i garanton demokracia evropiane.
UNITETI shpreson se mbështetja për protestat do të mundësojë edhe realizimin e kërkesave të parashtruara nga UNITETI për ndryshime në Kushtetutë.
REJHAN BUSHI-METAJ
