Maqedoni

Këshilli për Etikë në Media: Ruani profesionalizmin, mos rrisni tensionet

20.04.2016 14:07

Këshilli për Etikë në Media ka përkujtuar mediumet për rolin e tyre...

“Duke e pasur parasysh të drejtën fondamentale të lirisë së mediave, i përkujtojmë gazetarët dhe redaktorët se raportet mediale duhet t’a përmbajnë të vërtetën dhe të mos iniciojnë polemika dhe diskutime me të cilat do të rriten tensionet dhe do të përkeqësohen marrëdhëniet mes qytetarëve”, thuhet në kumtesë. 
 
“Në betejën për të fituar audiencë më të madhe, nuk guxon të pësojë gazetaria profesionale dhe roli i mediave si vëzhgues aktiv dhe objektiv i ngjarjeve. Mungesa e lirive mediale nuk guxon të shfrytëzohet si argument për sjellje të gabueshme dhe plasim të të pavërtetave”.
 
“Mediat duhet të zbatojnë edhe rolin e tyre si qetësues të tensioneve në shoqëri, veçanërisht në raste kur nxirren vlerësimet për eskalim të mundshëm të ngjarjeve”, thonë nga Këshilli për Etikë, prej ku përkujtojnë mediat në obligimin e tyre të informojnë në mënyrë profesionale dhe sipas parimeve të Kartës së nënshkruar paradokohe.
 
"Komentet dhe analizat janë pjesë e rëndësishme e gazetarisë, duke marrë parasysh se qytetarët kanë nevojë për sqarime të situatave dhe rrethanave, por mediat nuk guxojnë t'i keqpërdorin këto zhanre që të plasojnë interpretime të gabuara të realitetit dhe të nxisin tensione dhe sjellje të papranueshme të aktorëve të ndryshëm në shoqëri."- konsiderojnë nga Këshilli për Etikë në Media. 
 
Nga Këshilli kërkojnë të mos ulet niveli i sjelljes profesionale dhe të mos lejohen gënjeshtra, informata gjysmë të vërteta dhe të njëanshme, të cilat qytetarëve do t'u servoheshin si lajme të verifikuara dhe të vërteta. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI