“Reporterët pa kufij”, liria e mediave: Maqedonia në vendin e 118-të
“Reporterët pa kufij” alarmojnë për përkeqësim të gjendjes me lirinë e mediave në nivel global...

“Liria e mediave në botë është në rënie të theksuar dhe shqetësuese për shkak të qeveritarëve dhe korporatave”, thuhet në raportin e fundit të organizatës.
Maqedonia është radhitur e 118 në këtë raport, një vend më poshtë në krahasim me vitin e kaluar, në një listë monitorimi prej 180 vendesh.
Në raport thuhet se edhe pse shpifja është larguar nga Kodi Penal në vitin 2012, akuzat janë ndërruar me aksione qytetare, me mundësi për dënime të rënda me para apo burg për gazetarët dhe pronarët e mediave.
“Në fund të vitit 2014 janë parashtruar rreth 580 padi për shpifje, dhjetëra prej tyre janë kundër gazetarëve dhe kjo ka rezultuar me vetëcenzurim të gazetarëve”, tregon anketa e Sindikatës së gazetarëve dhe punëtorëve mediatik.
Raporti i “Reporterëve pa kufi” për vitin 2015 e rendit Shqipërinë në vendin e 82, njëjtë si vitin e kaluar.
Në raport theksohet se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për lirinë e medias si dhe është i nevojshëm zbatimi i legjislacionit. Kosova renditet në vendin e 87.
Evropa me 19.8 pikë vazhdon të ketë median më të lirë në të gjithë globin, e këtu kryeson Finlanda, e ndjekur nga Afrika me 36.9 pikë, e cila për të parën herë ia kalon Amerikës me 37.1 pikë, një rajon ku dhuna ndaj gazetarëve është në rritje.
Në pjesën e poshtme janë: Kina, Siria, Turkmenistani, Koreja e Veriut dhe Eritrea.
ERSAN PAJAZITI
