Maqedoni

Kriza politike në “Argument”

20.04.2016 15:51

Profesorët universitar në “Argument” në TVM2 dolën me vlerësime të ndryshme për daljen nga kriza...

Ata janë skeptikë se takimi i Vjenës mund të sjellë ndonjë zgjidhje për situatën e krijuar. Profesori universitar, Hasan Jashari, thotë se vetëm një marrëveshje e re do të mund të ishte zgjidhje, pasi që në të kundërtën situata mund edhe të përshkallëzohet.
 
“Unë mendoj se do të ketë një ‘Përzhinë’ të dytë nëse nuk ka ndonjë aneks të kësaj të parës edhe do të gjendet një zgjidhje, sepse në një farë forme e gjithë kjo bëhet që ajo garniturë e këtyre pushtetmbajtësve, njerëzve që sjellin votues prej pushteti, tashmë nuk kanë ku ikin. Meqenëse e gjithë kjo tollovi bëhet që ata t’i shpëtojnë burgut, edhe presidenti e bëri atë që e bëri, nëse mund që t’i shpëtojë, kështu që unë mendoj se i ka shpëtuar. Mirëpo kambanat bien që ata më të hiqen prej pushtetit.”- deklaroi profesori universitar, Hasan Jashari.
 
Profesori, Ymer Ismaili, duke ia hedhur një pjesë të fajit edhe faktorit evropian, thotë se ata nuk do të mund që vetë ta nxjerrin Maqedoninë nga kriza. Sipas Ismailit, një ndërhyrje e fuqishme amerikane do të mund që t’i jepte fund anarkisë në shtet, e cila mund të shndërrohet në luftë qytetare.
 
“Kjo që po ndodh në Maqedoni që tani po rrezikon jo vetëm shqiptarët brenda, por edhe rajonin. Një pjesë e fajit i takon edhe diplomacisë evropiane, veçanërisht evropiane, për arsye se ata, sistemi i tyre me tolerimin, që i ka bërë dhjetë vitet e fundit, etno-nacionalizmit të shfrenuar të VMRO-DPMNE-së, e ka sjellë këtë shoqëri në këtë gjendje dhe tani, kur kriza mund të përshkallëzohet, ata duan që t’i sjellin gjërat në normalitet. A është e mundur? Unë jam shumë skeptik që është e mundur nëse nuk ndërhyhet me një vendosshmëri shumë të fuqishme, qoftë ajo të jetë edhe ushtarake.”- tha profesori universitar, Ymer Ismaili.
 
Por, profesoresha, Besa Arifi, thotë se zgjidhja duhet të vijë nga brenda, duke u dëgjuar edhe zëri i popullit i dalë në protesta. Sipas Arifit, protestave duhet t’u bashkëngjiten edhe shqiptarët.
 
“Unë mendoj se nuk duhet gjithmonë të presim zgjidhjet nga jashtë të na vijnë, ja protektorat, ose të insistohet ndërkombëtarisht. Zgjidhja është brenda dhe duhet të vijë nga brenda! Unë mendoj që ne këtu e kemi rastin si shqiptarë, por edhe si qytetarë të tregojmë një përgjegjësi të lartë qytetare dhe një gatishmëri që t’i kundërvihemi një pushteti jolegjitim, jolegal dhe jomoral.”- theksoi profesoresha universitare, Besa Arifi.
 
Profesorët konsiderojnë se vendimi i Ivanovit për faljen e politikanëve të dyshuar për krime mund të luftohet edhe nga institucioni Prokurori Speciale, nëpërmjet vazhdimit të betejës kundër krimit të mbjellë ndër vite në vend.
 
MERAL ISMAILI