Botë

Turqi, 20 të arrestuar dyshohen për lidhje me Gulenin

20.04.2016 16:24

Policia turke ka ndaluar 20 persona në një operacion të kësaj të mërkure për shkak të lidhjeve të dyshuara...

Policia turke ka ndaluar 20 persona në një operacion të kësaj të mërkure për shkak të lidhjeve të dyshuara të tyre me lëvizjen e kryesuar nga kleriku mysliman, Fethullah Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Arrestimet janë bërë gjatë një operacioni të zhvilluar në provincat jugore të Osmaniye, Adana, Mersin dhe Isparta. Mes atyre të vënë nën pranga janë mësues dhe biznesmenë.

Presidenti turk, Taip Erdogan, akuzon Gulenin për krijimin e një “shteti paralel” dhe thurjen e komploteve për rrëzimin e qeverisë përmes një rrjeti mbështetësish në drejtësi, polici dhe media.

Gulen mohon akuzat e kreut të shtetit turk. Më herët gjatë kësaj jave, policia arrestoi 100 persona të tjerë, përfshi drejtues të lartë të një kompanie të rëndësishme ndërtimi, me pretekstin se financonin lëvizjen e Gulenit.