Maqedoni

Ambasadorët: Vendimi për abolim thellon krizën

20.04.2016 16:59

Faktori ndërkombëtar vazhdon të dënojë vendimin e presidentit, Gjorge Ivanov, për të aboluar 56 persona të implikuar në skandalin me përgjimet...

Faktori ndërkombëtar vazhdon të dënojë vendimin e presidentit, Gjorge Ivanov, për të aboluar 56 persona të implikuar në skandalin me përgjimet e paligjshme si dhe kërkon tërheqjen e këtij vendimi, pasi konsideron se me të është shkelur Marrëveshja e qershorit dhe korrikut të vitit 2015.
 
Ambasadorët e vendeve të BE-së këtë shqetësim ia prezantuan mbrëmë vetë presidentit Ivanov në rezidencën e tij në Vodno. 
 
“Ambasadorët i paraqitën pozicionet dhe shqetësimin e shteteve që përfaqësojnë lidhur me vendimin dhe krizën politike.”- thuhet në kumtesën e presidencës.
 
Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav, pas takimit me presidentin, Gjoge Ivanov, shënoi porosi se vendimi për falje zhvlerëson përgjegjësinë dhe sundimin e së drejtës si dhe rrezikon integrimin euroatlantik të vendit. Mësohet se në takim, ambasadorët kanë kërkuar rishqyrtimin e mundësisë për tërheqje të vendimit, pasi ai rrezikon marrëveshjen politike dhe thellon krizën. 
 
Takimi i ambasadorëve me presidentin i paraprin takimit të katër liderëve në Vjenë. Edhe pse ende nuk janë caktuar të gjitha detajet për takimin e Vjenës, qëllimi i takimit mbetet zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës si dhe i reformave urgjente prioritare.
 
Edhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Torbjorn Jagland, u ka bërë thirrje partive politike në Maqedoni që ta respektojnë Marrëveshjen e Përzhinës dhe të organizojnë zgjedhje, në të cilat do të mund të marrin pjesë të gjithë. Ai është shprehur i befasuar nga vendimi i presidentit Ivanov për anulim të hetimeve për 56 zyrtarë të lartë. 
 
Për situatën në Maqedoni do të debatohet edhe në sesionin pranveror të Komisionit për monitorimin e detyrimeve të vendeve anëtare në Këshillin e Evropës, APKE, në kuadër të dialogut post-monitorim.
 
SHPËTIM NUREDINI