Maqedoni

Rasti “Transportuesi”, paraburgim sekretarit të komunës së Manastirit

20.04.2016 17:25

Katër persona po merren në pyetje që në mëngjes në Gjykatën Penale në Shkup...

Ata u arrestuan mbrëmë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, e cila kërkoi të merret masa e paraburgimit ndaj personave të dyshuar në rastin e fundit që u hap nga PSP- “Transportuesi”. Gjykata mbrëmë i caktoi masën e paraburgimit sekretarit të komunës së Manastirit, ndërsa tre të tjerëve iu është caktuar masë e sigurimit. 
 
“Për një person është caktuar masa e paraburgimit, edhe atë në kohëzgjatje prej 30 ditëve. Personat e tjerë duhet të paraqiten kohë pas kohe në Gjykatë, nuk guxojnë të largohen nga vendbanimi dhe u është marrë edhe pasaporta.”- njoftojnë nga Gjykata Penale në Shkup.
 
Prokuroria Speciale kërkon masë paraburgimi për gjithsej 11 persona. Ata akuzohen se në bashkëpunim me kryetarin e Manastirit, Vladimir Talevski, kanë keqpërdorur paratë për transportin e nxënësve.
 
Por, prokuroria mund të proceduojë kërkesën për paraburgim vetëm për bashkëpunëtorët e Talevskit, pasi kreu i Manastirit tashmë përfiton nga falja presidenciale. 
 
Tre persona të tjerë për rastin “Transportuesi” pritet të dalin nesër para gjykatësit hetues.
 
BESIM ABDULLAI