Takimi në Vjenë: Ende nuk dihet nëse marrin pjesë të gjithë liderët

20.04.2016 18:01

LSDM nuk do të shkojë në takimin në Vjenë nëse presidenti Ivaniv nuk e tërheq vendimin për abolim dhe të mblidhet Kuvendi për të tërhequr vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor...

Lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev, thekson se në Maqedoni duhet të ketë doemos zgjedhje të drejta dhe demokratike me listë zgjedhore të pastruar, reforma në media, ndarje të partisë nga shteti dhe të mbështetet puna e Prokurorisë Speciale. Për vendimin e LSDM-së, Zaev ka njoftuar edhe iniciatorët e takimit.

“Që LSDM-ja të merr pjesë në takimin në Vjenë duhet të plotësohen dy parakushte. E para, Ivanov të tërheq vendimin për abonim, dhe e dyta, të mblidhet kuvendi dhe të tërheq vendimin për mbajtjen e  zgjedhjeve më 5 qershor deri në plotësimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, të drejta dhe kredibile. Nëse kanë vullnet Ivanov, Velanovski dhe Gruevski, vendimi mund të ndërrohet brenda dy orëve.”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Pjesëmarrjen në bisedimet në Vjenë e ka konfirmuar, ndërkohë, lideri i BDI-së. Por, Ahmeti pret që në Vjenë të shkojnë të katër liderët e ftuar dhe takimi të rezultojë me një ide për të dalë nga kriza. Takimi i Vjenës nuk guxon të shndërrohet në një tjetër takim të pasuksesshëm, si ndodhi në Bruksel, ka potencuar Ahmeti.

Edhe VMRO-DPMNE e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Vjenë, por nuk ka njoftuar nëse Nikolla Gruevski do të jetë ai i  cili do të përfaqësojë partinë në këtë takim.

Ndërkohë, ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Parti Demokratike Shqiptare, nëse lideri i saj, Menduh Thaçi, do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga treshja e eurodeputetëve: Vajgël, Hovit dhe Kukan. Ajo që dihet qartë është se në takimin e së premtes do të flitet vetëm për shpëtimin e Marrëveshjes së Përzhinës. KE ka qenë e qartë: “nuk do të ketë marrëveshje të re politike për Maqedoninë!”. (Sanije Duraku, TVM2)