Botë
Shpërthim në Meksikë, tre të vdekur, mbi 130 të plagosur
21.04.2016 09:24
Tre persona kanë humbur jetën, mbi 130 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një shpërthimi të madh në kompaninë kombëtare...

Tre persona kanë humbur jetën, mbi 130 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një shpërthimi të madh në kompaninë kombëtare të naftës PEMEX në Verakruz të Meksikës.
105 persona janë shtruar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme, përfshirë 58 punëtorë të kompanisë.
Ngjarja ndodhi pak minuta pas orës tre të mëngjesit, në një objekt të fabrikës pranë portit të Kotzakolkos, një prej qendrave më të mëdha të kompanisë të eksportit të naftës.
Shpërthimi shkaktoi një re të madhe tymi të zi, gjë e cila çoi në evakuimin e menjëhershëm të banorëve përreth. Carlos Ruiz ishte duke punuar në objekt në momentin kur ndodhi shpërthimi.
“Të gjitha dritat filluan të fiken dhe pastaj papritmas ndodhi një shpërthim i madh. Ishim shumë afër shpërthimit, ishim në panik.”- deklaroi dëshmitari okular, Carlos Ruiz.
PEMEX paralajmëroi banorët lokalë të qëndrojnë larg zonës për shkak të gazrave toksikë.
Ky nuk është incidenti i parë që e përfshin këtë fabrikë të naftës së Verakruzit. Në muajin shkurt, një punëtor humbi jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu fabrikën.
Disa javë para këtij incidenti, tre punëtorë të tjerë vdiqën dhe shtatë u plagosën sërish si pasojë e flakëve.
Ngjarja vjen gjithashtu në kohën kur PEMEX ka ndërmarrë shkurtime të thella për të përballuar shpenzimet dhe gjithashtu ka në plan të ulë prodhimin.
GAZMEND KURTISHI
