Maqedoni
Përmbyllet projekti “Valorizimi i zejeve tradicionale Çair-Gjilan”, i financuar nga KE
21.04.2016 12:01
Është përmbyllur në Gjilan projekti 18 mujor për bashkëpunim ndërkufitar “Valorizimi i zejeve tradicIonale Çair-Gjilan”...
Është përmbyllur në Gjilan projekti 18 mujor për bashkëpunim ndërkufitar “Valorizimi i zejeve tradicIonale Çair-Gjilan”, i financuar nga Komisioni Europian, i cili është implementuar në bashkëpunim me organizatën “Agro-Eko”.
Në ceremoninë e përmbylljes ka marrë pjesë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Zahir Bekteshi, përfaqësuesi nga zyra e BE-së në Kosovë, Dardan Sadriu, zëvendësministri i MAPL-së, Bajram Gecaj dhe zejtarët gjilanas, përfitues të granteve.
Në fjalën e tij, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi falënderoi Komisionin Europian për mbështetjen, theksoi se bashkëpunimi me Çairin ka sjellë përvoja të reja, identifikim të zejeve, si dhe grante për t’i ndihmuar në zhvillimin e veprimtarisë së tyre.
“Falenderoj Komisionin Europian për mbështetjen në këtë projekt dhe dy projektet tjera, si donatori më i madh i Gjilanit gjatë këtyre dy viteve. Po paralajmëroj se ky nuk është bashkëpunimi i fundit me një komunë nga shteti fqinjë. Ne kemi bërë identifikimin e projekteve të përbashkëta me 17 komuna të regjionit lindje dhe pritet të hyjmë në projekte ambicioze”, tha Haziri.
Ndërkaq, Zahir Bekteshi, kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit, tha se me Gjilanin i bashkoi zejtaria, duke potencuar se këta të fundit me ndarjen e granteve janë avancuar, duke siguruar mirëqenien për familjet e tyre.
Përmes projektit për bashkëpunim ndërkufitar, janë mbajtur trajnime për zejtarët, sikurse edhe janë ndihmuar me anë të skemës së granteve.
