Ivanov konsulton ekspertët, nuk ka bazë ligjore që ta tërheq abolimin
Kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov, është konsultuar me ekspertët juridikë, por nuk ka gjetur deri tani asnjë bazë ligjore...

Kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov, është konsultuar me ekspertët juridikë, por nuk ka gjetur deri tani asnjë bazë ligjore që do t’i mundësonte tërheqjen e vendimit për faljen e politikanëve, i cili shkaktoi reagimet e javëve të fundit në vend.
“Nga konsultimet e deritanishme të bëra me ekspertë juridikë të vendit, ju informoj se nuk është gjetur bazë ligjore për tërheqjen e vendimit për abolim. Konsultimet vazhdojnë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes.”- kështu thuhet në njoftimin e Ivanovit. Presidenti u ka bërë thirrje liderëve të partive që të gjejnë zgjidhje në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë. “Si çdoherë, ashtu edhe në të ardhmen do të veproj ekskluzivisht në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë.”- thotë Ivanov në kumtesë.
Kreu i shtetit, ndërkohë, bën thirrje për ruajtje të rendit dhe qetësisë publike dhe fton protestuesit që gjatë shprehjes së vullnetit të tyre të lirë të mos e shkatërrojnë pronën private dhe shtetërore.
“Maqedonia është ballafaquar me sfida dhe kriza, por çdoherë ka gjetur zgjidhje nëpërmjet dialogut në institucionet, duke u udhëhequr para së gjithash nga interesi i qytetarëve dhe interesi shtetëror.”- thuhet në reagimin e Ivanovit.
