Maqedoni

“Aleanca për shqiptarët”: Jo bisedime pa marrëveshje, jo zgjedhje pa të gjitha partitë

21.04.2016 15:28

“Bisedime duhet të ketë, por duhet të ketë marrëveshje dhe jo vetëm bisedime.”- thonë nga Aleanca për Shqiptarët...

Kreu i LR-PDSh-së, Zijadin Sela, thotë se gabimi kryesor u bë prej në fillim, kur në tryezën e bisedimeve u ulën të njëjtët aktorë politikë që kanë manipuluar me zgjedhjet dhe vullnetin dhe vedriktin e popullit.
 
LR-PDSh do marrë pjesë vetën në zgjedhje, ku do të marrin pjesë të gjitha partitë, e për korrektësinë e të cilave do të garantojnë institucionet ndërkombëtare.
 
E për këtë, sipas tij, nuk ka kushte më 5 qershor. Vesel Memedin e RDK-së, ndërkohë, e ka quajtur vendimin e presidentit për abolim të politikanëve si puc ndaj Prokurorisë Speciale dhe institucioneve të vendit.
 
“Ne jemi që të ketë bisedime, megjithëse nga bisedimet që u zhvilluan nga katër kushtet e Marrëveshjes së Përzhinës asnjë nuk është zbatuar. Listat mbetën të mbyllura, njësitë zgjedhore nuk u ndryshuan, është shtuar numri i votuesve dhe listat nuk janë pastruar. Për mediat të mos flasim. Ka mbetur vetëm një kusht. Të realizohen zgjedhje me pjesëmarrje të të gjitha subjekteve. Në atë moment që do jenë të gjitha partitë politike dhe me mekanizëm kontrolli të institucioneve ndërkombëtare, do duhet të mbahen zgjedhjet. Por, kushte për më 5 qershor natyrisht që nuk ka.”- deklaroi Zijadin Sela nga LR-PDSh.
 
“Atë që e bëri presidenti, duke amnistuar totalisht për 56 politikanë dhe për të tjerë që do dalin nga Prokuroria Speciale, është një puc ndaj PSP-së dhe institucioneve të shtetit. Vendimi duhet të tërhiqet, sepse vetëm kështu do të kemi takime të mirëfillta për tejkalimin e krizës politike. Me këto aktorë politikë, jo vetëm Vjena, por nuk do na shpëtojë as Uashingtoni.”- tha Vesel Memedi i RDK-së.