Maqedoni
Lëndët e speciales, Fetai: na kërcënojnë në familje, por nuk ndalemi
21.04.2016 15:33
Prokuroret speciale kanë alarmuar sot se po përballen me kërcënime të shumta nga njerëz të cilët...

Prokuroret speciale kanë alarmuar sot se po përballen me kërcënime të shumta nga njerëz të cilët, sipas prokuroreve speciale, Fatime Fetahi dhe Lençe Ristovska, kanë si qëllim t’i frikësojnë e t’i pengojnë të vazhdojnë më tej me ngritjen e akuzave për lëndë të caktuara.
Edhe pse nuk e bëri të ditur identitetin e kërcënuesve, Fetai aludoi se bëhet fjalë për njerëz që kryesisht kanë bërë vepra penale dhe duan të shpëtojnë pa u përballur me drejtësinë.
Prokuroret speciale janë të prera: asnjë kërcënim nuk do të ndikojë që ato të ndërpresin punën për të cilën janë zgjedhur.
Me rëndësi është drejtësia e jo pandëshkueshmëria, deklaroi Fatime Fetai, duke aluduar në faljen presidenciale.
“Një porosi për të gjithë ata që në mënyrë të pandershme e zbehin punën e Prokurorisë dhe të cilët në mënyra të ndryshme kërcënojnë anëtarët e Prokurorisë Publike Speciale, familjet dhe miqtë e tyre. Bëhet fjalë për persona të cilët nuk janë të interesuar për drejtësinë dhe të cilët në mënyrë të pandershme dhe qyqare, orvaten të shpëtojnë veten nga ajo. Ua bëjmë me dije se drejtësia do t’i kapë të gjithë ata që kanë gabuar para ligjit. Ky është besimi ynë i fuqishëm dhe përcaktimi ynë. Ju siguroj se në këtë Prokurori, sikurse edhe përpara ligjeve, të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë janë të barabartë. Të prirur nga ky qëllim, ju betohemi se në mënyrë joegoiste do të luftojmë për drejtësi, duke mos kursyer as veten tonë, për arsye se besojmë fort që drejtësia e jo pandëshkueshmëria është interesi kulmor i Republikës së Maqedonisë.”- deklaroi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
