Maqedoni

LR PDSh, RDK dhe disa shoqata nesër protesta në Shkup

21.04.2016 16:09

Aleanca për Shqiptarët në bashkëorganizim me disa shoqata civile nesër do të protestojnë në Shkup nën moton “Protesto shqip”...

Organizatorët e protestave thonë se nesër do të protestohet kundër obstruksioneve ndaj Prokurorisë Speciale, proceseve të montuara politike dhe kundër qeverisë.
 
“Nuk ka rëndësi data e protestës, rëndësi ka rezistenca dhe kauza jonë dhe këto para së gjithash flasin një gjuhë, gjuhën shqipe, sepse vetëm ashtu mund të realizojmë vetveten. Vetëm në këtë mënyrë merr kuptim aktiviteti ynë politik. Çdo aktivitet që nuk është komplementar me këto kushte e konsiderojmë si pengesë ndaj aspiratave tona nacionale. Protesta e 22 prillit është protestë ndaj rendit, statusit, pushtetit që ka riprodhuar vetveten tash e mbi 25 vite gjithmonë në dëm të shqiptarëve këtu.”- deklaroi Valon Kurtishi nga “Illyricium libertas”.
 
“U bëjmë apel gjithë popullatës, gjithë njerëzve të ndershëm që këto gjëra t’i marrin seriozisht dhe gjërave të këqija, pabarazive t’u themi ndal njëherë e përgjithmonë. Derisa nuk do të ketë barazi të plotë në mes të popujve që jetojnë këtu edhe stabiliteti do të jetë gjithmonë i brishtë.”- tha Islamzendeli nga OVL-UÇK.
 
“U lutem dilni në protesta, sepse keni përse të dilni. Nëse opozita maqedonase proteston për një arsye, opozita shqiptare dhe shqiptarët kanë një mijë e një arsye. Rasti ynë ngeli i pazbardhur deri në fund, PPS kishte për detyrë të zbardh këtë rast, mirëpo ja që opstrukcionet po i bëhen me qëllim që këto raste të montuara mos të zbardhen.”- theksi kryetari i Këshillit Organizativ të protestave të rastit “Monstra”, Bedri Hajdari.
 
Kryetari i LR PDSh-së, Ziadin Sela, dhe ai i RDK-së, Vesel Memedi, thanë se simbolika e protestës së nesërme është që shqiptarët të kërkojnë barabarësinë e plotë në institucionet e shtetit dhe barabarësinë e plotë si popull autokton në Maqedoni.
 
Protesta do të fillojë prej orës 14 00 nga ura e Bit Pazarit në Shkup dhe do të vazhdojë para Kuvendit të Maqedonisë.
 
ERSAN PAJAZITI