Maqedoni
Rasti “Kumanova”, familjarët dhe avokati ankohen për keqtrajtimin e të arrestuarve
21.04.2016 16:17
Derisa vazhdon procesi gjyqësor për rastin “Kumanova”, të paraburgosurit: Bajram Elshani, Nexhmedin Lika dhe Sefdail Miftari torturohen nga forcat speciale...

Derisa vazhdon procesi gjyqësor për rastin “Kumanova”, të paraburgosurit: Bajram Elshani, Nexhmedin Lika dhe Sefdail Miftari torturohen nga forcat speciale, ankohen familjarët dhe avokatët. Jetulla Elshani - babai i Bajram Elshanit - thotë se djali i tij ka marrë lëndime nga tortura, duke theksuar sidomos 17 prillin, kur gjatë transportimit të të burgosurve nga Gjykata në burg ata janë keqtrajtuar nga forcat speciale.
“Atë ditë që erdha për vizitë te djali im, e kam pasur takimin në orën 12 dhe ma kanë shtyrë diku rreth tre orë, sepse nuk donin të më lejonin që ta shihja, pasi që djali im ka qenë i rrahur. Bajramin e kam parë në gjendje jo të mirë. Kur është kthyer prej gjykatës e kanë rrahur, i kanë thyer një dhëmb, kishte shenja në qafë dhe kokë. E kanë rrahur rrugës për në burg. Isha në vizitë, e pyeta çfarë ke, më tha s’di çfarë të them, na kanë rrahur disave, ne që jemi në burgun e Shutkës. Kanë qenë me maska, si duket janë të njësisë speciale. Po, djemtë kanë bërë vepër dënoi, por mos i malltreto, ata tani më janë në burg.”- deklaroi prindi i Bajram Elshanit, Jetulla Elshani.
Edhe avokati, Naser Raufi, konfirmon se klientët e tij gjatë dërgimit për në burg janë malltretuar fizikisht. Ai thotë se pala mbrojtëse ka bërë disa ankesa që nga rasti i Brodecit e deri te ky i fundit në Kumanovë, por fatkeqësisht maltretimet e të burgosurve nuk ndërpriten.
“Tani është më mirë, por në seancën paraprake ishte në gjendje të keqe. Bajrami ka pasur dhëmbë të thyer, kurse Sefdail Miftari te këmba ka pasur lëndime, por prej atëherë nuk kemi pasur ankesa dhe presim nga gjykatësja të na lajmëron për reagimin e saj. Ata sot nuk u ankuan se kanë vazhduar me dhunë, por të shohim se si do të jetë më tutje.”- tha avokati, Naser Raufi.
Fajin për keqtrajtimin fizik dhe psikik të të akuzuarve më rastin “Kumanova” avokati Raufi e adreson te Ministria e Drejtësisë dhe Avokati i Popullit, ndërsa përgjegjësi më të madhe duhet të bart burgu i Shutkës.
Në seancën e sotme gjyqësore dëshmuan katër dëshmitarë të mbrojtur. Pas përfundimit të dëshmive të dëshmitarëve të ftuar nga prokuroria, do të pasojnë dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja.
SANIJE DURAKU
