Ekonomi

OEMVP, takime me afaristët e Zonës Industriale në Vizbeg

21.04.2016 16:41

Përfaqësues të Odës Ekonomike Veriperëndimore janë takuar me afaristë të zonës industriale në Vizbeg të Shkupit...

Me këtë rast ata janë ankuar për  mungesë të infrastrukturës së nevojshme, si kanalizimi apo legalizimi i objekteve. 
 
“Dy vitet e fundit kemi shumë ndërprerje të ndërtimtarisë në këtë zonë për shkak të mosrregullimit të planeve para dy viteve, d.m.th. ne mundeshim t’a bënim ndërtimin pa problem, por tash për një ndërtim duhet dokumentacioni deri në dy vjet, kjo është një problem shumë i madh që paraqet për investitorët në këtë zonë dhe problem tjetër është me infrastrukturën e kanalizimit, rrjetit të ujit, asfaltimi e të tjera.”- deklaroi kryetari i Zonës Industriale të Vizbegut, Nexhat Shahini.
 
Ndërsa nga OEMV theksuan se ata po merren rreth vështirësive me të cilat përballet zona industriale, në mënyrë që t’i ofrohet ndihmë nga institucionet përkatëse.
 
“Ne si Odë Ekonomike jemi subjekt ekonomik që mbron dhe promovon interesat e kompanive anëtare të Odës. Sot do dëgjojmë vështirësitë me të cilat ballafaqohen kompanitë dhe këto probleme ne pastaj do t’i prezantojmë në institucionet përkatëse për të parë mundësitë se si mund të zgjidhen në mënyrë sa më të lehtë dhe më të shpejtë.”- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
 
Problemet u janë paraqitur autoriteteve, prandaj afaristët kërkojnë sidomos përshpejtimin e procedurave të dhënies së lejeve për ndërtim.
 
GAZMEND REXHEPI