PSP zbardh rastin “TNT”, objekti “Kosmos” është rrënuar jashtëligjshëm; Fetai: S’ndalemi, drejtësia do t’i mbërrijë të gjithë
Prokuroria Speciale publikoi rastin e pestë “TNT”, ku trajtohet rrënimi i objektit “Kosmos” i Fiat Canovskit gjatë vitit 2011...

Të dyshuar janë katër persona të cilët për rrënimin kanë qenë të dirigjuar nga ish kryeministri, Nikolla Gruevski, ish ministri, Mile Janakievski, dhe kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, të cilët nuk mund të ndiqen penalisht, pasi janë falur nga presidenti Ivanov.
E dyshuara e parë është inspektorja për ndërtim në komunën e Gazi Babës, e cila ka marrë vendim të jashtëligjshëm për rrënimin e objektit. Tre të punësuarit tjerë në procedurë të përshpejtuar dhe jashtëligjshëm kanë angazhuar kompani që të rrënojë objektin me dinamit. Nga Prokuroria Speciale prezantuan edhe sms-porosi midis kreut të kompanisë që ka kryer rrënimin dhe ish ministrit Janakievski.
“Nga dëshmitë e mbledhura dolën dyshimet se në periudhën kohore 1 maj 2011 deri më 17 gusht 2011 në Shkup kryetari i atëhershëm i qeverisë dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, dhe ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, të cilët janë falur nga presidenti, bashkë i’u janë hakmarrë të dëmtuarit, Fiat Canovski, pas vendimit të tij politik, i cili si kryetar i Partisë për Ardhmëri Evropiane e ka lëshuar koalicionin me VMRO-DPMNE-në dhe ka hyrë në koalicion me LSDM-në. Ata, duke shfrytëzuar fuqinë e tyre politike, kanë detyruar kryetarin e komunës së Gazi Babës të kryej vepër penale.”- tha prokurorja speciale, Fatime Fetai.
Prokurorja, Fatime Fetai, dërgoi porosi të qartë drejt atyre që po ushtrojnë presion ndaj Prokurorisë Speciale, se nuk do të ndalin punën për zbardhjen e krimit në vend.
“Porosia është për të gjithë ata të cilët në forma të ndryshme kërcënojnë pjesëtarë të Prokurorisë Speciale, familjet dhe miqtë e tyre. Ata janë persona që drejtësinë nuk e kanë interes dhe në forma të ndryshme mundohen që të shpëtojnë prej saj. Porosisim se drejtësia do t’i mbërrijë të gjithë ata që kanë gabuar para ligjit. Ky është besim dhe përcaktimi ynë i fortë.”- tha prokurorja speciale, Fatime Fetai.
Sipas kalkulimeve të Prokurorisë Speciale, me shkatërrimin e objektit “Kosmos”, pronari Fijat Canovski është dëmtuar prej afër 15 milion eurosh, ndërkaq buxheti i komunës ka pësuar 50 mijë euro.
Nga Prokuroria Speciale thonë se në Gjykatën Shkupi 1 do të kërkohet që të sigurohet prezenca e të dyshuarve gjatë gjithë procedurës hetimore. (Meral Ismaili, TVM2)
