Dështon takimi në Vjenë, Han: Përgjegjësia mbetet te palët; Partitë politike i hedhin fajin njëra-tjetrës

21.04.2016 17:56

Dështon nisma e eurodeputetëve për një takim në Vjenë mes kryetarëve të partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës me ndërmjetësim të eurokomisarit Han.

Siç duket, anulimi vjen pas refuzimit të kreut të VMRO-DPMNE-së që personalisht të marrë pjesë në takim, por edhe për shkak të kushtëzimit të kreut të LSDM-së që paraprakisht të tërhiqet vendimi për abolim dhe data e zgjedhjeve.

Komisioneri, Johanes Han, dhe tre parlamentarët e BE-së, Riçard Hovit, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgël, në një deklaratë të përbashkët kanë shprehur keqardhje për dështimin e takimit, duke ia adresuar përgjegjësinë presidentin, Gjorge Ivanov, i cili, sipas tyre, me vendimin për abolim rrënoi Marrëveshjen e Përzhinës, por edhe liderëve politik, nënshkrues të Marrëveshjes së qershorit, të cilët në vend të zbatimit të saj kanë shënuar hapa pas.

“Të gjithë mbetemi të angazhuar fort dhe në dispozicion për të ndihmuar partitë. Megjithatë, theksojmë se përgjegjësia për të siguruar progresin demokratik dhe për të bërë përparim në rrugën euroatlantike mbetet tek palët. Tani është radha e tyre për të ofruar dhe për të përcaktuar rrugën përpara. Ne vazhdimisht kemi thënë se anulimi i Marrëveshjes së Përzhinës do të ketë pasoja shumë të rënda për vendin. Na vjen shumë keq për hapat regresiv që e zmbrapsin vendin nga aspiratat për anëtarësim në BE.”- thuhet në njoftimin e komisionarit Han dhe tre eurodeputetëve.

Nënshkruesit e deklaratës së përbashkët paralajmërojnë sanksione ndaj Maqedonisë në harmoni me kërkesat e tre institucioneve kryesore të BE-së.

“Në mungesë të progresit, ne jemi të detyruar tani të marrin në konsideratë veprime të mëtejshme për të përmbushur kërkesat e caktuara në mënyrë të qartë nga Këshilli Evropian, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.”- thuhet në njoftim.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i partive politike. VMRO-DPMNE akuzoi liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, si përgjegjës për dështimin e takimit të liderëve në Vjenë.

“LSDM dhe Zoran Zaev si kryetar janë fajtorë direkt për krizën në të cilën ndodhet Maqedonia. Zaev dhe partia e tij mbajnë përgjegjësi personale dhe politike për thellimin e krizës, për tensionet në vend dhe rrezikun e rritur të destabilizimit. Me sabotimin e takimit të Vjenës, Zoran Zaev dëshmoi se ai e ka të rëndësishëm vetëm interesin personal, e jo interesin e shtetit dhe qytetarëve që dëshirojnë fundin e kësaj krize politike.”- tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Ndërkaq, LSDM vlerëson se BE ka konfirmuar se kushtet e domosdoshme që duhet të plotësohen janë thelbësore që procesi i bisedimeve të bëhet i mundur, ndërsa përgjegjësia për tërë këtë që po ndodh bie mbi pushtetin.

“Përgjegjësia për të gjitha zhvillimet në Maqedoni bie mbi Nikolla Gruevskin, Gjorge Ivanovin dhe Trajko Veljanovskin. Sot u bë e qartë se pse Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE nuk dëshirojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike, shmangen nga regjistri i pastruar zgjedhor, reformat në media dhe ndarjen e partisë nga shteti. Prandaj, Maqedonia është në këmbë. Në Maqedoni patjetër të ketë dhe do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike. Maqedonia demokratike nuk do të lejojë që Nikolla Gruevski ta mbajë peng ardhmërinë e shtetit.”- theksoi Petre Shilegov nga LSDM.       

Edhe BDI konsideron se me anulimin e takimit u lëshua edhe një shans për zgjidhjen e krizës. “Ky vendim sot tregon se të gjitha palët nuk e kanë dhënë pëlqimin për të marrë pjesë atje, atëherë na mbetet që ne ta zgjedhim krizën këtu. Pas këtij dështimi, elitave politike u mbetet seriozisht të marrin përgjegjësitë që kanë para qytetarëve dhe të sjellin vendim në interes të tyre.”- thotë zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani. (Shpëtim Nuredini, TVM2)