Dita e 9 e protestave në Shkup, organizatorët: Protestat do të vazhdojnë

21.04.2016 22:10

Pa incidente të theksuara por me tensione të mëdha u zhvillua protesta e nismës qytetarë “Protestoj” në Shkup....

Ata si zakonisht u mblodhën para Prokurorisë Speciale duke i dhënë mbështetje këtij institucioni për hetimin e politikanëve dhe duke kundërshtuar vendimin e presidentit Ivanov për abolim.

Protestuesit tentuan por nuk arritën të kalojnë korridorin policor para selisë së BE-së në Shkup. Ata u përqëndruan një orë para qeverisë duke shprehur revoltën e tyre kundër vendimit të presidentit, prandaj kërkuan edhe dorëheqjen e tij, por edhe shtyerjen e zgjedhjeve dhe dorëheqjen e Qeverisë, duke i lënë rrugë krijimit të një qeverie kalimtare, e cila do të krijonte kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Ata me këtë rast hedhën edhe ngjyrë ndaj godinës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Për dallim nga ditët e tjera protesta e lëvizjes “Protestoj” ishte e kufizuar në lëvizjen e saj drejt Kuvendit, me qëllim shmangjen e incidenteve me kundër protestuesit.

Kjo është dita e 9-të e protestave kundër Presidentit dhe Qeverisë, ndërsa organizatorët thonë se nuk do ti ndalin ata deri në plotësimin e kërkesave të tyre. (Qamil Rexhepi, TVM2)