Botë
Meksikë, shpërthimi në rafineri, të afërmit e punëtorëve kërkojnë shkaqet
22.04.2016 11:55
Të afërmit e punëtorëve të fabrikës petrokimike që shpërtheu në Meksikë kanë kërkuar përgjigje nga drejtuesit e saj...

Të afërmit e punëtorëve të fabrikës petrokimike që shpërtheu në Meksikë kanë kërkuar përgjigje nga drejtuesit e saj për atë që ndodhi pasi zyrtarisht shkaku i shpërthimit nuk dihet ende.
Të paktën 24 njerëz u vranë nga shpërthimi, ndërsa 13 të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dhjetëra familjarë të viktimave u mblodhën para dyerve të fabrikës dhe kërkuan që të flasin me drejtuesit e saj.
Disa prej tyre tentuan që të hyjnë me forcë në fabrikë. Kompania “Pemex”, përgjegjëse për fabrikën, tha se po zhvillohen hetimet për të zbuluar shkakun e shpërthimit dhe sapo të ketë rezultate do të bëhen publike.
Zemërimi publik është rritur ndjeshëm për shkak të këtij incidenti. Ka zëra se tymi toksik i shpërthimit mund të ketë helmuar shumë njerëz në zonat e banuara rreth fabrikës.
Në fakt, pas shpërthimit autoritetet mbyllën shkollat dhe evakuuan me mijëra njerëz që ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Meksika nuk ka një dosje të mirë sigurie në fabrikat e saj dhe incidente të tilla janë verifikuar periodikisht, duke bërë njerëzit të dyshojnë se standardet e sigurisë nuk respektohen dhe se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.
