Maqedoni

Shpallen edhe zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme

06.03.2014 17:52

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të mbahen më 27 prill, së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale....

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të mbahen më 27 prill, së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Kryetari i Kuvendit të Republikës në largim, Trajko Veljanovski edhe zyrtarisht shpalli zgjedhjet parlamentare, pas shpërndarjes së Kuvendit një ditë më parë. 
 
“Sot nënshkrova vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për deputetë në Kuvendin e RM-së, të cilat do të mbahen më 27 prill 2014, përkatësisht të njëjtën ditë me rrethin e dytë për zgjedhjen e kryetarit të Republikës se Maqedonisë, nëse kryetari nuk zgjidhet në rrethin e parë më 13 prill”, deklaroi kryetari i Kuvendit të RM-së, Trajko Veljanovski. 
 
Veljanovski ftoi të gjithë pjesëmarrësit në garë, për zgjedhje korrekte dhe demokratike konform marrëveshjes së arritur dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. 
 
“Ashtu si radhën e kaluar edhe sot, dua të potencoj se para nesh është një proces zgjedhor, në të cilin rregullat zgjedhore janë pranuar me pajtim të pushtetit dhe opozitës, që paraqet përgjegjësi shtesë si për njërën ashtu edhe për palën tjetër dhe obligim që këto rregulla të respektohen dhe të zbatohen gjatë këtij procesi”, shtoi Veljanovski.     
 
Në harmoni me dispozitat kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen brenda 60 ditëve, nga dita e shpërndarjes së Kuvendit. Sa u përket përplasjeve të mundshme në kalendarin zgjedhor për zgjedhjet presidenciale me atë për zgjedhje parlamentare, Veljanovski tha se për këtë çështje, kompetente është KShZ-ja, e cila duhet të interpretojë të gjitha dilemat, për të siguruar zgjedhje sa më të mira për pjesëmarrësit në garë. (Shpëtim Nuredini)