Botë

Kriza në Siri, arrijnë ndihmat e para në Rastan që nga 2012-ta

22.04.2016 12:20

E derisa fati i bisedimeve është i paqartë, autokolona më e madhe me ndihma e dërguar ndonjëherë në Siri...

E derisa fati i bisedimeve është i paqartë, autokolona më e madhe me ndihma e dërguar ndonjëherë në Siri, mbërriti në një qytet të rrethuar nga rebelët në qendër të vendit.
 
65 kamionë po shpërndajnë ushqime dhe medikamente për 120 mijë civilët brenda dhe rreth Rastanit, në provincën e Homsit.
 
Autokolona e komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe siriane është e para që hyn në Rastan që prej 2012-ës.
 
Lejimi i hyrjes së ndihmave në të gjithë Sirinë ishte edhe një prej qëllimeve kryesore të armëpushimit të brishtë, në fuqi prej të paktën 2 muajsh.
 
Derisa ngarkesat me ndihma po mbërrinin në vend, i dërguari i posaçëm i OKB-së, Stafan de Mistura, u tha gazetarëve në Gjenevë se ishte shënuar progres modest, por real në shpërndarjen e ndihmave humanitare për të paktën 500 mijë njerëz që jetojnë në zonat e rrethuara. 
 
Rastani, rreth 20 km larg qytetit të Homsit, ka qenë së fundmi shënjestër e sulmeve ajrore të forcave të regjimit, që çuan në prag të kolapsit armëpushimin e ndërmjetësuar nga ShBA-të dhe Rusia.