Maqedoni
“Ballkan Trigger”, 14 të arrestuar në aksionin 48 orësh të Interpolit
22.04.2016 12:28
14 persona janë arrestuar në operacionin rajonal "Ballkan Triger” të Interpolit që kishte si qëllim parandalimin e tregtisë ilegale të armëve në vendet e Ballkanit Perëndimor...

Janë konfiskuar 40 armë zjarri, 6 kilogram eksploziv, 11 granata dore, 1.300 copë municione të ndryshme, 52 kilogramë marihuanë, 14,5 kilogram ar dhe 250.000 euro.
Aksioni ka zgjatur 48 orë dhe për të janë angazhuar 5.000 nëpunës policorë të sistemuar në vendet pjesë të këtij operacioni - Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, Serbi, Slloveni dhe Mal të Zi.
Rreth 43.000 persona janë ndaluar në vendkalimet kufitare, rrugët transitore dhe vendet e përcaktuara për kontroll, nëpër gjithë rajonin, me më shumë se 2 milionë kontrolle të kryera në data bazat e Interpolit, duke përfshirë edhe bazat për kërkimin e personave, dokumenteve të humbura dhe të vjedhura dhe automjetet e vjedhura.
“Sulmet terroriste në Evropë dhe në botë, ku më shumë përdoren armët e zjarrit sesa eksplozivi, treguan se është e nevojshme të bëhet kontroll më efektiv. Qëllimi i operacionit "Ballkan triger" është të krijohet bazë e fuqishme e cila do të jetë pikënisje për aktivitetet e mëtejme të vendeve në luftën me tregtinë e palejuar me armë zjarri”, deklaroi Tim Morrison, drejtor i përgjithshëm i Interpolit.
Në qendrën koordinuese rajonale në Sarajevë participuan edhe nëpunës policorë të vendeve pjesëmarrëse, të cilat kanë vepruar në korelacion me qendrën koordinuese të Interpolit.
Të dhënat e marra nga operacioni më tej do të analizohen në mënyrë plotësuese, për të pasur pasqyrë më të qartë për lidhshmëri të mundshme potenciale me vepra të tjera penale dhe aktivitete terroriste në rajon dhe më gjerë.
GYLTENE SINANI
