Spasovski: Ministër i Brendshëm jam unë, më lini të punoj
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, akuzon sekretarin shtetëror në MPB se po merr rolin dhe ingerencat e ministrit, duke shkaktuar kaos të vërtetë në drejtimin e Ministrisë.

Ky reagim vjen pasi dy ditët e fundit drejtori i Drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim, Lupço Andonovski, dhe sekretarja shtetërore në MPB, Anastasija Ilievska, jashtë çdo kompetence ligjore, po japin urdhra gojore për marrjen e zyrave të punonjësve të caktuar, shkyçjen e kartelave hyrëse dhe ndërrimin e bravave të zyrave për punonjësit për të cilët qeveria solli vendim t’ua bëjë të pavlefshme vendimet e punës.
“Unë jam ministër i Brendshëm. Kërkova të më pranohet dorëheqja, por kjo nuk ndodhi. Ligji thotë se ministri i Punëve të Brendshme jam unë dhe për këtë arsye nuk do të pranoj asnjë lloj vendimi apo kombinimi për udhëheqje të përbashkët në MPB në këtë mënyrë si po ndodh tani. Nuk do të marr as përgjegjësinë për gjërat që po ndodhin në këto momente të ndjeshme për vendin.”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Disa prej të punësuarve nuk janë paraqitur as në takimin e thirrur nga ministri Spasovski. Ai e quan puç ndaj MPB-së vendimin e qeverisë jo vetëm me mospranimin e dorëheqjes së tij, por edhe me hedhjen poshtë të urdhrave që ai ka dhënë si ministër i Brendshëm.
Me këto vendime qeveria po shkakton kaos në hierarkinë e MPB-së, thotë Spasovski, duke shtuar se qeveria me vendim i pamundëson që të nënshkruaj dokumente si ministër i Brendshëm, e në këtë mënyrë i pamundëson të drejtojë resorin e tij, duke shtyrë të punësuarit e tjerë në MPB të respektojnë vendime joligjore, duke bërë kështu vepra penale. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
