Protestojnë studentët e mjekësisë, kërkojnë heqjen e provimit shtetëror të vitit të dytë
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup protestuan kundër ndryshimeve në Ligjin për studime mjekësore të propozuara nga ministri Todorov, të sjella pa konsultime me ekspertët dhe studentët...

“Provim shtetëror për ju”, “Ne nuk largohemi”, ishin vetëm disa nga thirrjet e studentëve në protestat para Ministrisë.
“Ligji parashikon, në qoftë se nuk e kalon provimin e shtetit, kushtimisht thënë humb një vit, apo ngecin studentët dhe presin një vit deri në provimin e radhës.”- tha studenti i mjekësisë, Ernes Nikoçeviq.
“Kërkesa jonë është më e vogla, sepse jemi fakulteti i vetëm që jep provim shtetëror për të kaluar në vitin e tretë, pra semestrin e pestë. Ne jemi i vetmi fakultet, kjo nuk është normale dhe nuk ekziston në asnjë fakultet tjetër, kërkojmë që të paktën ky provim të jetë për vlerësim të studentit dhe jo një kusht për kalimin në vitin e tretë.”- u shpreh studentja e mjekësisë, Ajola Skikuli.
Nga Ministria iu thanë studentëve se tani nuk mund të bëhet asnjë ndryshim në ligj për shkak se parlamenti është i shpërndarë. Gjithsesi, Ministria e Shëndetësisë thotë se është e hapur për bashkëpunim në lidhje me vërejtjet rreth orareve të provimeve. Nëse nuk gjendet kompromis, studentët paralajmërojnë vazhdimin e protestave.
Me ndryshimet ligjore, studentët e mjekësisë duhet të japin dy provime, në fund të viti të dytë dhe të katërt. Dhënia e provimit shtetëror të vitit të dytë është kusht për të vazhduar studimet. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
