Kërkesa e Ivanovit, BDI: Le t’a gjejë vetë zgjidhjen
Edhe pse presidenti Ivanov ftoi partitë politike t’a ndihmojnë për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore për tërheqjen e vendimit për abolim të politikanëve...

Edhe pse presidenti Ivanov ftoi partitë politike t’a ndihmojnë për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore për tërheqjen e vendimit për abolim të politikanëve, këto të fundit duket se nuk e kanë ndërmend t’a ndihmojnë kreun e shtetit në këtë drejtim.
Nga BDI thonë se presidenti duhet të gjejë vetë zgjidhje, ashtu siç vetë vendosi të falë politikanët.
“Me këtë vendim, Ivanov cenoi interesat e shtetit dhe të qytetarëve dhe suspendoi sundimin e ligjit. Ju takon ekspertëve ligjorë të japin mendim se si mund të shfuqizohet vendimi.”- thonë nga BDI.
VMRO mbështet sërish idenë që katër partitë politike t’i dërgojnë një letër të përbashkët presidentit, ide kjo që u refuzua që në fillim e rezultoi me letra të veçanta nga katër partitë më të mëdha.
“Disa herë deri tani e kemi treguar qëndrimin tonë partiak. Edhe në fillim propozuam dërgimin e një letre të përbashkët drejt presidentit Ivanov.”- thonë nga VMRO-DPMNE.
PDSh dhe LSDM nuk kanë reaguar sot ndaj kërkesës së djeshme të presidentit. (Sanije Duraku, TVM2)
