Osmani: BE dhe ShBA të sanksionojnë politikanët

22.04.2016 17:55

Pas konsumimit te mekanizmave diplomatike, faktori ndërkombëtar duhet të aplikojë sanksione për politikanët e dyshuar për shpërdorim detyre dhe krime, përgjegjës për krizën politike...

Profesori universitar, Osman Kadriu, vlerëson se Bashkimi Evropian dhe ShBA u angazhuan tej mase për të ndihmuar vendin që të dalë nga qorrsokaku, por dështimi i takimit të Vjenës dëshmoi mosgatishmërinë e politikës vendore për t’a zgjidhur krizën. 

“U vërtetua një çështje se Bashkësia Evropiane, KE dhe ShBA duhet patjetër të shkojnë vetëm me sanksione, meqenëse nuk ka gjasa që të ulen liderët dhe të propozojnë vendime konkrete, konkluzione konkrete për të dalë Maqedonia nga kriza.”- deklaroi profesori universitar, Osman Kadriu.

Sipas Kadriut, vendi mund të dalë nga kriza politike vetëm me mbledhjen e sërishme të Kuvendit, i cili do të pezullonte datën e zgjedhjeve dhe do të kërkonte përgjegjësi nga presidenti për vendimin për abolim, me të cilin Kadriu konsideron se është abroguar Marrëveshja e Përzhinës.

“Një prej çështjeve që patjetër duhet të bëhet, pasi kemi një situatë të barabartë me situatën e jashtëzakonshme në shtet, të thirret seancë e jashtëzakonshme e Parlamentit. Në atë seancë Parlamenti duhet të trajtojë dy çështje në kompetencë të tij.”- tha profesori universitar, Osman Kadriu.

“Nën një, të iniciohet procedura për përgjegjësi politike të kryetarit të shtetit dhe çështja e dytë, që është në kompetencë të Parlamentit, duhet të shtyhen zgjedhjet parlamentare dhe atë jo në termin të caktuar, por në kohë të pacaktuar.”    

Profesori universitar, Osman Kadriu, thotë se vendi nuk është i gatshëm për zgjedhje dhe se mbajtja e zgjedhjeve të njëanshme nuk është zgjidhje.

Ndryshe, eurokomisari, Johanes Han, dhe tre eurodeputetët akuzuan presidentit Ivanov dhe partitë politike për dështimin e takimit në Vjenë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës. Për herë të parë deklaruan se janë të detyruar të ndërmarrin veprime ndaj Maqedonisë, duke aluduar në sanksione. (Shpëtim Nuredini, TVM2)