Vazhdojnë protestat, parti e OJQ protestojnë me moton “Ndal”

22.04.2016 19:00

Nën moton “Ndal sistemit” dhe me flamuj kombëtarë, një grup i konsiderueshëm qytetarësh kanë protestuar sot në Shkup kundër proceseve të montuara politike dhe kundër qeverisë, e cila, sipas protestuesve, ka dëmtuar interesat e shqiptarëve të Maqedonisë.

“Duam barabarësi të plotë!”- ky është mesazhi i protestuesve të cilët po marshojnë nga ura e Bit Pazarit deri tek Kuvendi i R. së Maqedonisë. Ata po protestojnë kundër kësaj qeverie.

Kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela, dhe ai i RDK-së, Vesel Memedi, thanë se qëllimi i protestave është për të kërkuar shtet binacional dhe të drejta të barabarta mes etnitetit shqiptar dhe atij maqedonas.         

“Shqiptarët sot janë këtu për barabarësi të plotë, për shtet binacional, për gjuhë zyrtare në të gjithë shtetin, për buxhet dhe t’a marrin hisen e tyre. Protesta sot ka simbolikën që shqiptarët në këtë situatë të turbullt dhe jostabile vijnë sot protestojnë për të kërkuar hisen e tyre këtu në Maqedoni dhe po kështu do t’a kërkojnë hisen e tyre edhe nesër kur do të jenë të përfaqësuar në parlament me njerëzit e vërtetë.”- deklaroi kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.

“Këto janë protesta për të startuar, për të nënshkruar një kontratë të re në Maqedoni. Kjo kontratë nënkupton një shtet binacional mes shqiptarëve dhe maqedonasve, dhe tani do të duhet bashkërisht, njëherë e përgjithmonë t’a ndërtojmë një shtet me themele të shëndosha, ku gjithë kombet që janë prezent në Maqedoni do të jenë të barabartë.”- deklaroi kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.

Këtë protestë e ka mbështetur edhe ish nënkryetari i Parlamentit, Hysni Shaqiri, i cili tha se shqiptarët duhet t’i dalin zot vetes kundër së keqes.                    

“Çështjen tonë nuk na e zgjidhin të tjerët po nuk e zgjidhëm vet dhe nuk mund të bëjnë të tjerët më tepër për ne më shumë se sa ne për veten. Në këtë drejtim në kërkojmë që Maqedonia të ketë një paqe dhe një stabilitet, por në kuadër të kësaj paqe dhe stabiliteti, ne nuk guxojmë t’ia japim të drejtën vetes që të jemi mjet për manipulim, mjet për kusuritje për çështjet e tyre, interesat e tyre politike kush do të vijë në qeveri. Ne jemi kundër kësaj qeverie.”- theksoi ish-nënkryetari i Parlamentit, Hysni Shaqiri.

Protestën e kanë mbështetur edhe OVL-UÇK dhe disa shoqata civile. Protesta ka kaluar në atmosferë të qetë dhe nuk janë vërejtur incidente. (Ersan Pajaziti, TVM2)