Dështimi i takimit në Vjenë, Kocianiçiç: situata është shumë serioze

22.04.2016 19:47

Brukseli zyrtar nuk bën me dije se cilat do të jenë hapat e mëtejmë që do të ndërmerren pas dështimit të takimit të Vjenës në rast se Maqedonia nuk i përkushtohet zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës....

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, duke u thirrur në deklaratën e përbashkët me tre eurodeputetët, thotë se në mungesë të përparimit në zbatimin e marrëveshjes politike do të ndërmarrin aksione, por duke mos saktësuar se për çfarë masash sanksionuese bëhet fjalë.

“E dini se për sot ishte planifikuar takimi i komisionarit Hahn dhe tre eurodeputetëve me liderët e politikës të IRJM-së në Vjenë. Për fat të keq ky takim, qëllimi i të cilit ishte që të ndihmojë vendin që të gjejë rrugën në zbatimin e obligimeve të Marrëveshjes së Përzhinës, nuk u mbajt. Ne si BE mbetemi të hapur që t’i ndihmojmë vendit, por përgjegjësia për gjetjen e zgjidhjes së krizës është në duart e liderëve politik. Në deklaratën e përbashkët thamë se në mungesë të përparimit të mëtejmë jemi të detyruar që të ndërmarrim aksione që të përmbushim kërkesat e Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian. Nuk do të spekuloj se çfarë do të thotë kjo, por e qartë është se situata është serioze.”- deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç.

Për mospjesëmarrje në takimin e Vjenës publikisht u shpreh lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili kërkoi që zgjedhjet të mos mbahen më 5 qershor dhe të tërhiqet vendimi i presidentit Ivanov për faljen e politikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Por, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, nuk përcaktoi fajtorin për dështimin e bisedimeve në metropolin austriak. Ajo sërish u thirr në deklaratën e përbashkët të eurokomisarit, Johanes Hahn, dhe tre eurodeputetëve, të cilët janë shprehur se mbeten të përkushtuar dhe në dispozicion të liderëve për të nxjerrë vendin nga kriza. (Meral Ismaili, TVM2)