UT, konferencë shkencore “Bashkëpunimi brendakulturor shqiptar”

22.04.2016 20:47

Bashkëpunimi brendakulturor shqiptar është tema e konferencës së tretë shkencore ndërkombëtare, organizuar nga Fakulteti Filologjik i UT-së...

Në këtë konferencë marrin pjesë 92 studiues shkencorë nga vendi dhe rajoni. Konferenca do të ketë për objekt studimi dhe promovimi kryesisht vlerat identitare të kombit shqiptar, përfshirë gjuhën, letërsinë dhe kulturën.

“Organizimi i një konference të tillë me karakter ndërkombëtar kontribuon jo vetëm në ngritjen e urave të miqësisë mes nesh, por do të ndikojë dukshëm edhe në ngritjen e vetëdijes dhe etikës së komunikimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit më të ngushtë ndërshoqëror dhe ndërinstitucional në të ardhmen.”- tha prof. dr. Reshat Qahili.

Dekani i Fakultetit Filologjik i UT-së, doc. dr. Fatmir Sulejmani, tha se sot mjerisht komunikimi aktual kulturor brendashqiptar është i flashkët, i sipërfaqshëm dhe ndoshta më aksidental se ai i kohëve të shkuara.

“Inekzistent është edhe komunikimi shkencor, sepse mungojnë projektet dhe botimet e përbashkëta të studimeve gjuhësore, folklorike, etnografike e historike, veçmas nëpër rajonet e paeksploruara mirëfilli, siç janë vendbanimet shqiptare të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë londineze.”- u shpreh doc. dr. Fatmir Sulejmani.