Maqedoni

Certifikohen 4 pilot te rinj

06.03.2014 19:28

Katër pilot të rinj, të trajnuar sipas standardeve botërore, do t’i bashkangjiten Armatës së Republikës së Maqedonisë...

Katër pilot të  rinj, të trajnuar sipas standardeve botërore, do t’i bashkangjiten  Armatës së Republikës së Maqedonisë. Prej ditës së sotme, helikopterët dhe avionët ushtarak, do të drejtohen nga persona të kualifikuar, sipas standardeve ndërkombëtare për aterim. Ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, gjatë ceremonisë solemne, i shpërndau certifikatat e gjeneratës së parë të trajnimit për pilot. Xhaferi, gjithashtu tha se pilotët e rinj janë sukses i Qendrës për Trajnimin e Pilotëve, e cila mundëson të gjitha kushtet për trajnime të tilla. Për herë të parë, ne mesin e tyre ka edhe një grua pilote.
 
“Janë katër pilotët e  parë  nga  numri i përgjithshëm që do duhet në të ardhmen të trajnohen në Qendrën e Stërvitjes së Pilotëve. Ajo që është më e theksuar në këtë grup të pilotëve, është fakti që Ministria e Mbrojtjes edhe praktikisht po kyçet në zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për barazi gjinore, siç mund të shihni, njëri nga kandidatët është grua, e cila i jep frymë të re”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi.
 
Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Trajnimin e  Piloteve dhe njëherit instruktor i pilotëve, tha se kjo gjeneratë do të jetë fryma e re e Armatës, e cila do t’i vendos themelet e aviacionit cilësor.
 
“Ne ju mundësuam hapjen e rrugës drejt suksesit tuaj, këtë e bëmë me  punë të koordinuar me instruktorët dhe  menaxheret tanë  dhe të Izraelit. Mos harroni se piloti duhet të jetë i gatshëm  në çdo kohë dhe vend, për kryerjen e misioneve të Armatës”, theksoi drejtori i Qendrës për Trajnim të Pilotëve.
 
Shkathtësitë dhe aftësitë për menaxhim me aviacionin e pilotëve, të rinjve ua kanë ushtruar instruktorët me renome nga Izraeli dhe Maqedonia.
 
Disa ditë më parë, ministria  e Mbrojtjes  e lëshoi  në përdorim edhe objektin e ri shumë funksional të Qendrës për Trajnimin e  Pilotëve, e  cila u mundësoi pilotëve, sistem më të sofistikuar bashkëkohorë, i cili përfshin simulatorë për fluturim me helikopterët MI 17 dhe MI 24.  Numri i nevojshëm  i pilotëve që duhet të arrihet në  brigadën e aviacionit,  është 52 pilotë. (REXHEP QAMILI)