Maqedoni

Linja e re e ujësjellësit regjional të Zajazit në fazën përfundimtare

23.04.2016 13:29

Linja e re e ujësjellësit të Zajazit është një projekt kapital i komunës së Kërçovë...

Linja e re e ujësjellësit të Zajazit është një projekt kapital i komunës së Kërçovës, i cili do të furnizojë me ujë të pijshëm fshatrat, Kollarë, Zajaz Ukaj, Zajaz Çelikaj dhe Drogomisht i Madh.
 
"Ky projekt shkon drejt përfundimit sepse tashmë janë realizuar punimet në kaptazhin kryesor të burimeve të ujit që ndodhen te “Kilometri i nëntë” si dhe në dy rezervoaret që ndodhen, njëri mbi fshatin Kollarë dhe tjetri mbi fshatin Zajaz Ukaj. Gjatë këtyre ditëve është bërë edhe testimi i linjës së re të ujësjellësit i cili shtrihet në një gjatësi prej 14 kilometrash", tha kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, gjatë inspektimit të punëve ndërtimore në projektin më kapital që realizohet në zonën e Zajazit.
 
Sasia e ujit që do të furnizojë linjën e re të ujësjellësit është 50 litra ujë në sekond dhe me kyçjen e fsahtrave të pjesës veri-perëndimore të zonës së Zajazit, tani e tutje nuk do ketë masa të restriksionit të ujit për pije, një problem i cili prej vitesh i ka munduar banorët e kësaj ane, sidomos gjatë muajve të verës.
 
Ky projekt shumë i rëndësishëm që kap shumën investuese prej 2 milion eurosh, është mbështetur nga Banka Botërore, Qeveria e Maqedonisë dhe komuna e Kërçovës.
 
SHABAN DALIPI