Maqedoni
USHT: 22 Nentori te festohet edhe ne Kosove dhe Shqiperi
06.03.2014 19:50
“Universiteti Shtetëror i Tetovës”, ka njoftuar opinionin publik, se Senati i USHT-së njëzëri ka miratuar propozimin dhe ka kërkuar nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë....

“Universiteti Shtetëror i Tetovës”, ka njoftuar opinionin publik, se Senati i USHT-së njëzëri ka miratuar propozimin dhe ka kërkuar nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, që 22 nëntori, “Dita e Alfabetit shqiptare”, të jetë festë shtetërore edhe në këto dy vende. Me këtë rast, rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, tha se me këtë akt, Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, do të çmonin lartë veprën kombëtare të të parëve tanë.
“Duke marrë parasysh rëndësinë historike dhe kombëtare të “Ditës së Alfabetit Shqip”, i cili në një periudhë të vështirë historike, në qytetin e Manastirit, tuboi në gjirin e vet atdhetarët më eminent të çështjes kombëtare nga të gjitha trojet tona etnike, Senati i “Universitetit Shtetëror të Tetovës”, në mbledhjen e mbajtur më datën 27 shkurt 2014, miratoi njëzëri propozimin që 22 nëntori, “Dita e Alfabetit Shqip”, të shpallet festë shtetërore edhe në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës. Me këtë akt, ju dhe qeveritë respektive, do të dëshmonit për një sensibilizim të gjithëmbarshëm kombëtar dhe do të nderonit veprën e çmuar kombëtare të të parëve tanë, të cilët nuk kursyen asgjë për të mirën e gjeneratave të ardhshme”, deklaroi rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.
Ndryshe 22 nëntori, “Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, në Republikën e Maqedonisë shënohet si festë kombëtare. (Miftar Emin)
