Maqedoni
Mehmeti: Unifikimi i bëhet votës me porosi të qarta
06.03.2014 19:55
Unifikimi i votës shqiptare, për të siguruar më shumë pushtet në Parlamentin dhe Qeverinë e ardhshme...

Unifikimi i votës shqiptare, për të siguruar më shumë pushtet në Parlamentin dhe Qeverinë e ardhshme, realizohet nëpërmjet një komunikimi të drejtpërdrejtë dhe pa përdorur fjalorin fyes midis subjekteve politike shqiptare. Kështu vlerëson analisti politik, Ibraim Mehmeti, sipas të cilit, në këtë mënyrë edhe bëhet inkurajimi i qytetarëve për të dalë sa më shumë në votime.
“Kuptohet se përgjigjja është nëse ka më pak pretendent me shanca reale, që mund të pretendojnë pjesëmarrjen në Parlament, që ata të prijnë në këtë fushatë. Mirëpo nëse e shohim mënyrën se si komunikojnë partitë shqiptare dhe raportet ndërmjet tyre, një gjë e tillë duket jo reale, që të kemi një faktorizim ose konsolidim të votës shqiptare, e cila eventualisht mund të imponohej si një faktor më i rëndësishëm në diskursin politik në Maqedoni”, deklaroi analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
Analisti Mehmeti vlerëson se, që të mos bëhet përçarje e madhe e votës shqiptare, por të arrihet në unifikimin e saj, duhet që partitë e mëdha në fillim t’u ofrojnë bashkëpunim partive më të vogla.
“Partitë e mëdha, duhet t’i ofrojnë partitë e vogla, t’i ofrojnë një shancë që edhe ata të përfaqësohen në parlament, nuk mund të presin që partitë e vogla të shkojnë t”i lusin partitë më të mëdha, sepse kjo nuk mund të ketë efekt, është rregull e pashkruar që ato më të fortit u zgjasin dorën atyre që janë më të vegjël, që ndoshta janë me kapacitet më të vogël organizativ, mirëpo kanë ndoshta ide më të mirë, kanë njerëz të mirë dhe kjo duhet të shfrytëzohet nga partitë më të mëdha”, shtoi Mehmeti.
Sipas analistit, Ibrahim Mehmeti, mes përfaqësuesve politik shqiptar, duhet të ketë një komunikim më të pjekur politik dhe të drejtpërdrejtë, me qëllim të inkurajimit të shqiptarëve për të dalë në votime, pasi komunikimi përmes deklaratave nënçmuese dhe fyese, akoma më shumë i deinkurajon votuesit shqiptar për të marrë pjesë në proceset zgjedhore. (Mefail Ismaili)
