Botë
Obama për vizitë në Gjermani, lavdëron Merkelin për politikat ndaj refugjatëve
24.04.2016 17:05
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka arritur në Gjermani, për t’i dhënë shtytje një pakti të ri tregtar ndërmjet SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian..

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka arritur në Gjermani, për t’i dhënë shtytje një pakti të ri tregtar ndërmjet SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, si dhe për të marrë pjesë në një samit me liderët kryesorë evropianë, që ka të bëjë me çështjet e sigurisë. Obama në Hanover, takon kancelaren gjermane, Angela Merkel, për ta hapur së bashku panairin industrial gjatë ditës së nesërme.
Paraprakisht presidenti Obama, lavdëruar politikën e kancelares Merkel ndaj refugjatëve, ndërsa ka vlerësuar se marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë për të zgjidhur krizën e refugjatëve paraqet një hap përpara për ndarjen më të drejtë të përgjegjësisë.
Në një tekst autorial për gazetën gjermane, Billd, Obama bëri thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut të refugjatëve, gjatë zbatimit të marrëveshjes për të ndalur valën e refugjatëve.
“Angela Merkel dëshmoi kryesim politik dhe moral me vendimin e saj për të ndihmuar njerëzit që ikin nga luftërat dhe kushtet e tmerrshme”, shkroi Obama.
Sa i përket krizës në Siri, Obama përjashtoi mundësinë e dërgimit të forcave tokësore amerikane në këtë vend, duke theksuar se problemet e vendit nuk mund të zgjidhen vetëm me ndërhyrje ushtarake.
Ai tha se do të ishte gabim nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgonin forca tokësore dhe shtoi se nuk beson se organizata Shteti Islamik do të mposhtët gjatë nëntë muajve të fundit të mandatit të tij si President.
REXHEP QAMILI
