Si po implementohet ligji për shpifje dhe ofendim?

14.03.2014 01:34

Ata kritikojnë se kur bëhet fjalë për funksionarë të lartë, procesi gjyqësor realizohet në mënyrë të përshpejtuar dhe me gjoba maksimale. Sipas Vlladimir Medarskit nga Qendra për Zhvillimin e Mediave, gjykatësit nuk e respektojnë parimin për praktikën nga Gjykata në Strazburg.....

Qendra për zhvillimin e mediave, përmes një raporti nga monitorimi 13 mujorë i rasteve në Gjykatën Civile në Shkup, që ka të bëjë me  implementimin e ligjit për përgjegjësi civile për shpifje dhe ofendim, ka konstatuar mangësi në implementimin e tij. Sipas kësaj qendre, dënimet e larta që parasheh ligji, shpien në vet censurë të gazetarëve, duke pasur parasysh se një numër i madh i mediave apo portaleve të ndryshme, rrezikojnë mbylljen  për shkak të mospasjes së mundësisë për pagesën e dënimeve të larta.

Ata kritikojnë se kur bëhet fjalë për funksionarë të lartë, procesi gjyqësor realizohet në mënyrë të përshpejtuar dhe me gjoba maksimale. Sipas Vlladimir Medarskit nga Qendra për Zhvillimin e Mediave, gjykatësit nuk e respektojnë parimin për praktikën nga Gjykata në Strazburg.

“Në këtë periudhë, vërtetuam disa mangësi të ligjit, për të cilat qendra tregonte ende pa u miratuar ligji, këtu bëjnë pjesë harxhimet e larta, të cilat në krahasim me procedurën penale më herët, sot janë shumë më të larta, që arrijnë deri në 48 denarë për padi dhe 96 mijë denarë për ankesë”, - deklaroi Vladimir Medarski nga Qendra për Zhvillim të Mediave.

“Problemi më i madh në Maqedoni dhe gjyqësorin e Maqedonisë, është kur i padisin funksionarët e lartë të qeverisë. Aty nuk keni shans të merrni rezultat pozitiv në favorin tuaj. Ajo shihet shumë qartë, ku janë të paditur funksionarë të lartë të qeverisë, e të cilët për disa vite gjykatësi nuk mund t’i gjejë”, - u shpreh kryeredaktorja në “Fokus”, Jadranka Kostova.

Ndryshe kryetari i shoqatës së gazetarëve, Naser Selmani, shprehi vërejtjet e tij lidhur me raportin në fjalë. Sipas tij, në këtë rast nuk duhet marrë parasysh vetëm anët negative, por edhe ato pozitive, drejt të cilave shpien ndryshimet për dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit.

“Nga njëra anë analizohen vendimet gjyqësore me dënime për të akuzuarit, por nuk përmenden vendimet kur ata lirohen. Këtë duhet ta cekim nga një arsye e thjesht, se duhet t’i inkurajojmë gjykatësit që të vazhdojnë me këto vendime,të vazhdojnë t’i refuzojnë numrin më të madh të padive për shpifje dhe ofendim. Ne gjykatat penale ne nuk na ishte e mundësuar as të citojmë nga praktika evropiane .Tani disa gjykatës lirojnë gazetarë dhe qytetarë nga përgjegjësia për shpifje dhe ofendim, duke u thirrur në aktvendimet nga Gjykata Evropiane”, - tha nga shoqata e gazetarëve, Naser Selmani.

“Konstatimi im është se në gjykatën civile ka numër më të vogël të lëndëve dhe bindja ime personale është se shkaku për këtë, janë taksat e larta gjyqësore dhe harxhimet e tjera që duhet t’i paguajnë si paditësit ashtu edhe të paditurit dhe definitivisht proceset në procedurë civile përfundojnë me shpejtë”, - u shpreh avokati Filip Medarski.

Kryetari i SHGM-së, thekson se është mëse e rëndësishme që tani për shpifjen dhe ofendimin nuk parashihet dënim me burg. (Florije Kamberi TVM2)