Botë
“Uollstrit Zhurnall”: Obama do të dërgojë ushtarë shtesë në Siri
25.04.2016 12:51
Presidenti amerikan, Barak Obama, do të dërgojë në Siri rreth 250 ushtarë shtesë për shkak të intensifikimit të luftës kundër “Shtetit Islamik”, shkruan gazeta "Uollstrit Zhurnall"...

Gazeta citon përfaqësuesit zyrtarë amerikanë, sipas të cilëve në këtë mënyrë numri i ushtarëve amerikanë në Siri do të rritet prej 50 në rreth 300 persona. Shtëpia e Bardhë nuk dha koment për këtë informacion. Plani për ushtarë shtesë do të publikohet nga Obama sot në Hanover.
Presidenti e ka miratuar këtë vendim, pasi këshilltarët e tij udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të tjerë i kanë theksuar se këta ushtarë shtesë në Siri do t'i mundësojnë Pentagonit të arrijë progres edhe më të madh drejt realizimit të qëllimit për shkatërrimin e ShI-së.
Një nga detyrat kryesore të forcave ushtarake shtesë do të jetë të tentojnë të tërheqin më shumë arabë sunit drejt luftës së njësiteve kurde kundër ShI-së në Sirinë Veriperëndimore.
Ushtarët shtesë gjithashtu do të ndihmojnë edhe për pastrimin e prezencës së ShI-së në vendbanimet në dhe rreth bastionit të grupacionit në Siri, Rakë, të cilat janë të banuara kryesisht me arabë.
Ata gjithashtu do të ndihmojnë për përgatitjen e terrenit kundër ofensivës në Rakë. Mes tyre ka anëtarë të forcave për operacione speciale dhe personel logjistik.
Ministri amerikan i Mbrojtjes, Eshton Karter, javën e kaluar deklaroi se ShBA-ja do të dërgojë 217 ushtarë shtesë në Irak që të ndihmojnë në luftën kundër “Shtetit Islamik”, me ç'ka numri i ushtarëve amerikanë në këtë vend do të arrijë në 4087.
