Botë
Masakra në Ohajo, policia kërkon autorët e vrasjes së tetëfishtë
25.04.2016 13:01
Policia në Ohajo ende po heton vrasjen e tetë anëtarëve të të njëjtës familje, që u ekzekutuan me plumba në kokë në katër vendndodhje të ndryshme në qytezën Pinketon...

Policia tha se po kërkon të paktën një të dyshuar që konsiderohet i armatosur dhe shumë i rrezikshëm. Deri tani, policia ka marrë në pyetje 30 persona, por asnjë arrestim nuk është bërë.
Pjesa më e madhe e viktimave ishin duke fjetur kur u ekzekutuan. Shtatë prej viktimave ishin të rritur dhe një prej tyre ishte 16 vjeçar.
“Mendojmë se në këtë moment nuk duhet të spekulojmë nëse vrasësi ose vrasësit e njihnin familjen apo ndonjë anëtarë të tyre.”- deklaroi prokurori publik i Ohajos, Mike Deuine.
“Kemi një skenë krimi të shumëfishtë dhe te tetë anëtarë të një familjeje të vrarë në katër lokacione të ndryshme. Asnjëherë më parë nuk jemi përballur me masakrimin e një familjeje të tërë.”- tha sherifi i zonës së Pinketonit, Charles Reader.
“Njerëzit kanë frikë të dalin në rrugë. Ne jemi në mes të një festivali dhe mund të ketë atje ndonjë njeri që mund t’i qëllojë nëse dalin në rrugë. Nuk e dimë se kush është apo se deri ku është në gjendje të shkojë.”- u shpreh banorja e zonës, Courtney Boyer.
“Nuk është gjë e mirë, jemi të trishtuar. Vetëm rrimë e presim se mos ndodh ndonjë gjë tjetër.”- theksoi banorja e zonës, Brandi Theobald.
Tre fëmijë fare të vegjël, përfshirë një foshnje 4-ditëshe, janë kursyer nga vrasësi apo vrasësit.
Foshnja 4-ditëshe u gjet në shtrat me nënën e saj të ekzekutuar. Mbijetesa e fëmijëve është deri tani një element i pashpjeguar nga policia, e cila thotë se në raste vrasjesh të tilla të mëparshme nga persona me probleme psikologjike, nuk ka pasur të mbijetuar.
Kjo mbase tregon se ekzekutimet u bënë për arsye të tjera. Mediat gjithashtu raportojnë se shumë anëtarë të tjerë të kësaj familje po mbahem nën vëzhgim dhe i është ofruar mbrojtje nga policia.
GAZMEND KURTISHI
