Botë

Zgjedhjet në Serbi, Vuçiç merr mbi 50% të votave

25.04.2016 13:43

Partia Progresive Serbe, forca politike e drejtuar nga Aleksandar Vuçiç, është fituese absolute në zgjedhjet e parakohshme parlamentare...

Partia e Vuçiçit ka marrë mbi 51 për qind të votave, çka përkthehet në 154 vende në Parlament, duke i dhënë mundësinë që të krijojë e vetme qeverinë.
 
Në fjalën e mbajtur pas daljes së projeksioneve paraprake, Aleksandar Vuçiç deklaroi se ky është një rezultat historik për Partinë Progresive, por edhe për Serbinë.
 
“Mendoj se ky është një rezultat historik. Serbia do të vijojë rrugën e saj evropiane, të cilën do të mundohemi që t’a përshpejtojmë. Gjithashtu më duhet t’iu them se ky rrugëtim do të bëhet duke ruajtur marrëdhëniet korrekte me Rusinë dhe Kinën.”- deklaroi kryetari i Partisë Progresive të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
 
Si forcë e dytë në këto zgjedhje është radhitur Partia Socialiste e Serbisë, e kryesuar nga Ivica Daçiç.
 
Ndërkohë, Partia Radikale Serbe e Vojslav Seshejlit radhitet në vendin e tretë. Ultranacionalisti Sheshelj nuk ishte shumë i kënaqur me rezultatin paraprak, pasi priste më shumë. 
 
Në zgjedhjet lokale në komunën e Preshevës, ndërkohë, ka fituar Partia Demokratike Shqiptare e Ragmi Mustafës me 4.757 vota, kurse në Bujanoc Partia për Veprim Demokratik e ish-kryetarit të komunës, Shaip Kamberi.
 
Nagip Arifi nga Partia Demokratike fitoi 3330 vota, Lëvizja e Progresit Demokratik e Jonuz Musliut 1860 vota.
 
Partitë e tjera kanë marrë numër shumë më të vogël të votave. Në zgjedhjet parlamentare në Serbi patën të drejtë vote 6.7 milionë votues.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI