Maqedoni
Ahmeti për “Der Standard”: Për tejkalimin e krizës të respektohet marrëveshja
25.04.2016 16:05
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë për gazetën gjermane “Der Standard” ka ripërsëritur se zgjedhjet duhet të plotësojnë...

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë për gazetën gjermane “Der Standard” ka ripërsëritur se zgjedhjet duhet të plotësojnë të gjitha standardet e kërkuara edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
Për shtetin nuk do ishte mirë të shkohej në zgjedhje pa opozitën, thotë Ahmeti duke shtuar se KShZ është institucioni kompetent që duhet të dalë dhe të tregojë se sa janë plotësuar kriteret e opozitës.
Në vend është një situatë kaotike ku të gjithë presin dhe asgjë nuk funksionon, thotë Ahmeti. Sipas tij, liderët duhet të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara.
“Të gjithë partitë jemi marrë vesh që të organizohen zgjedhje. Ne duhet t’u përmbahemi marrëveshjeve. Pse i nënshkruam ato, për të mos i respektuar më pas, në rast se nuk janë pjesë e interesave të politikës sonë ditore?”- tha Ahmeti.
Lideri i integristëve ka komentuar edhe vendimin për falje të presidentit Ivanov, të cilin e ka cilësuar si vendim të papranueshëm, që nëpërkëmb shtetin ligjor e që duhet të tërhiqet sa më shpejt.
BDI që në fillim ka dyshuar në aftësitë e Ivanovit për të kryer detyrën e presidentit, prandaj doli me kërkesën për president konsensual, përkujton Ahmeti. Ai thotë se në vend duhet të rikthehet dialogu.
“Shteti nuk duhet të futet në krizë të thellë. Nëse nuk ka takime, për të tejkaluar krizën do ishte shumë e rëndë. Takimet natyrisht duhet të mbahen në Shkup, me ndërmjetësimin e BE-së dhe ShBA-së. Duhet të fillojë që nesër. Më mirë sot!”- ka deklaruar Ahmeti, duke mos përjashtuar edhe skenaret për tensionim të situatës.
Ahmeti ka rikujtuar deklaratën e dhënë 14 muaj më parë, se Ukraina nuk është larg, por që në atë kohë, sipas tij, u morr me shaka nga shumë politikanë.
Gjërat nuk ecin në drejtimin e duhur dhe nuk besoj që problemi ekziston vetëm në Maqedoni.
Kriza është edhe përtej Maqedonisë dhe Ahmeti nuk e përjashton mundësinë që në krizë të jenë involvuar edhe intereset e huaja.
Në pyetjen nëse kriza në Maqedoni ka ndonjë lidhje me prekjen e interesave ruse nëse Maqedonia bëhet pjesë e NATO-s, lideri i BDI-së ka cituar thënien e famshme të Bizmarkut: “Kush sundon Maqedoninë, sundon Ballkanin dhe kush sundon Ballkanin, sundon Evropën”.
