Maqedoni

KShZ–zgjedhjet, fillon këqyrja publike në listën e zgjedhësve

25.04.2016 16:34

KShZ-ja ka vënë listën e zgjedhësve në dispozicion për inspektim publik. Këqyrja publike do zgjasë 15 ditë, përkatësisht deri më 9 maj...

Gjatë kësaj periudhe qytetarët kanë mundësi që të bëjnë kontroll “on-line” ose në njësitë rajonale të KShZ-së për të parë nëse ndodhen në listën e zgjedhësve. Kontrolli në listën elektronike të zgjedhësve mund të bëhet vetëm me numrin amzë, ndërkaq kontrolli në njësitë rajonale bëhet personalisht, me dokument identifikimi.
 
“D.m.th. ka filluar. Gjithçka shkon ashtu siç parashihet nga ana jonë. Çdo qytetar e ka mundësinë që të paraqitet në njësinë rajonale të KShZ-së ku mund të kryej inspektimin dhe nëse has ndonjë të dhënë joadekuate në lidhje me të dhënat e tij, atëherë e ka mundësinë të parashtrojë kërkesë, duke deponuar edhe dokumentin përkatës si dëshmi për kryerjen e ndryshimeve, plotësimeve ose shlyerjen e të dhënave në listën e zgjedhësve.”- deklaroi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
 
Pas kontrolleve administrative me kryqëzimin e të dhënave nga baza e 11 institucioneve si dhe pas kontrolleve në terren, pritet që KShZ-ja të tregojë numrin e përgjithshëm të personave me të drejtë vote, edhe pse KShZ ende nuk ka një përgjigje nga MPB-ja nëse ka kontrolluar të gjithë zgjedhësit e dyshimtë në listë dhe sa prej tyre e humbasin të drejtën e votës.
 
Konform kalendarit për kryerjen e veprimeve zgjedhore, KShZ-ja e mbyll listën zgjedhore, te e cila janë inkorporuar të gjitha ndryshimet si rezultat i shqyrtimit publik, më së voni më 19 maj 2016, ndërkaq, e nënshkruan listën zgjedhore të përfunduar, më së voni, deri më 26 maj 2016.
 
SHPËTIM NUREDINI