Maqedoni

Arrestohet Zdravko Saveski, “E Majta”: Tendencë për të ngulfatur protestat

25.04.2016 17:23

Anëtari i Partisë “E Majta” dhe njëri ndër protestuesit aktiv të Lëvizjes “Protestoj”, profesori, Zdravko Saveski, është marrë në pyetje në stacionin policor në Kisella Vodë...

Ai nga policia ngarkohet për pjesëmarrje në turmë, ndërkaq i rrezikohet privimi nga liria deri në tre vjet. Dyshimet e “Së Majtës” janë se Saveski është marrë në pyetje si pasojë e protestave të 13 prillit, ku demonstruesit u futën në zyrën popullore të presidentit Ivanov, një ditë pasi ai fali politikanët dhe bashkëpunëtorët e tyre.
 
Për marrjen në pyetje të Saveskit kanë reaguar nga partia e tij të mbledhur para Gjykatës Penale. Sipas tyre, pushteti me arrestimet tenton të ngulfat revoltin e popullit, andaj dërguan tre porosi institucioneve.
 
“Porosia e parë është për ministrin dhe zëvendësministrin për Punë të Brendshme, që t’i evidentojnë, por të mos i proceduojnë këto kallëzime penale derisa nuk përfundon kriza politike. Kërkesa e dytë i drejtohet Prokurorisë Publike, që të mos kërkojë arrestime për këto lëndë, dhe porosia e tretë është për Gjykatësin e lëndës, të mos shqiptojë masë paraburgimi, por të lë që drejtësia të arrihet pa kurrfarë trysnie.”- deklaroi anëtari i “E Majta”, Dimitar Apasiev.  
 
Apasiev thotë se Saveskit i përgatitet teren për paraburgim. Në kërkim të policisë janë edhe katër bashkëpartiakë të Saveskit. Nga ”E Majta” porositin ata që mos të paraqiten në polici, pasi që do të arrestohen.
 
MERAL ISMAILI