Obama: BE, arritja më e madhe e politikës moderne
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të mbetet i bashkuar dhe i fortë...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të mbetet i bashkuar dhe i fortë, teksa e ka cilësuar bllokun me 28 anëtarë si një prej arritjeve më të mëdha të politikës dhe ekonomisë moderne.
Duke folur nga Hannoveri i Gjermanisë, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Unioni është një nevojë e të gjithëve.
Më shumë se 500 milionë njerëz që flasin 24 gjuhë në 28 shtete të ndryshme, nga të cilat 19 përdorin të njëjtën monedhë në një Bashkim Evropian. Kjo është një prej arritjeve më të mëdha politiko-ekonomike e kohërave moderne, tha Obama.
Presidenti amerikan komunikoi se kishte aprovuar dërgimin e 250 trupave ushtarake në Siri, të cilët do të shërbejnë si trajnues për forcat vendase.
“Shteti Islamik” është një armik i të gjithëve dhe se terroristët e ISIS-it do të marrin të njëjtën përgjigje me ekstremistët e mëparshëm, tha ai.
Lideri i Uashingtonit theksoi se ushtarët nuk do t’i paraprijnë asnjë misioni ushtarak në beteja të drejtpërdrejta me ISIS-in.
