Maqedoni
Protesta të qeta në Kumanovë
25.04.2016 21:39
As moti i ftohtë dhe me shi nuk ka penguar që për të pestën ditë, nën organizim të mëtepër organizatave joqeveritare...

As moti i ftohtë dhe me shi nuk ka penguar që për të pestën ditë, nën organizim të mëtepër organizatave joqeveritare, një numër i konsiderueshëm i kumanovarëve të dalin në protesta për të kundërshtuar vendimin e presidentit Gjorgje ivanov për faljen kolektive të 56 personave të cilët janë nën hetimin e Prokurorisë speciale publike.
Por gjithashtu me këto protesta kërkohet edhe shtyerja e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 5 qershor si dhe kërkesat tjera.
Edhe sonte protestat filluan para godinës së Gjyqit themelor të Kumanovës, kurse për rendin dhe qetësinë në to u kujdesën forcat policore.
Pas qëndrimit disa minutësh para godinës së gjyqit themelor të Kumanovës, protestuesit vazhduan marshimin nëpër rrugët qendrore të qytetit.
Protestuesit gjatë tërë kohës brohoritnin parulla tashmë të njohura si “Pa drejtësi ska qetësi” , “Nuk do tju abolojmë” e shumë të të tjera.
Edhe protestat e sotme kaluan të qeta dhe nuk u regjistrua asnjë incident.
NEXHAT AQIFI
