Sulmet e 11 shtatorit, kapitulli sekret së shpejti publik?!
Rreth 28 faqe nga raporti që përmbajnë hollësi nga mbështetja e vendeve të tjera për autorët e sulmit mund të bëhen së shpejti publike...

Gati 15 vjet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, kur katër aeroplanë të rrëmbyer u përplasën në dy kullat binjake në Nju Jork, në ndërtesën e Pentagonit në Uashington, dhe i fundit në një fermë në Pensilvani, rreth 28 faqe nga raporti që përmbajnë hollësi nga mbështetja e vendeve të tjera për autorët e sulmit mund të bëhen së shpejti publike.
Me gjithë klasifikimin si tepër sekret, ata që e kanë parë këtë pjesë të raportit kanë bërë mjaft aludime rreth lidhjeve të Arabisë Saudite me rrëmbyesit.
Ish senatori, Bob Graham, thotë se kjo pjesë e raportit duhet botuar për t’i dhënë fund debatit rreth saj dhe që populli amerikan të vendosë vetë për ato që do të shohë në të.
“Mendoj se është e paimagjinueshme të mendosh se njerëz që nuk flisnin anglisht, nuk kishin qenë kurrë në Shtetet e Bashkuara, dhe si grup nuk ishin të mirëshkolluar, mund ta bënin sulmin vetë. Pra, kush mund t’i ketë ndihmuar ata? Mendoj se të gjitha të dhënat të çojnë tek Arabia Saudite.”- deklaroi ish senatori, Bob Graham.
Ish presidenti, Goerge Bush, dha urdhër që 28 faqet e dokumentit të klasifikoheshin si “sekret” dhe të mos përfshiheshin në raportin prej 828 faqesh të Kongresit, që u bë publik. Pasuesi i tij, presidenti Obama, i ka kërkuar ekipit të tij të sigurisë kombëtare t’a rishikojë këtë kapitull.
Marrëdhëniet amerikano-saudite kanë tërhequr vëmendje pas kritikave të presidentit Obama se mbretëria saudite nuk po bën sa duhet për të luftuar terrorizmin në rajonin e saj. Raporti i komisionit të 11 shtatorit, që u botua në vitin 2004, e cilëson Arabinë Saudite si “një aleat problematik në luftën kundër ekstremizmit islamik”. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
